
Më keq se kaq, nuk ka. Shqipëria mundet edhe nga disa amatorë, të cilët futbollin e kanë “për të shtyrë” kohën e lirë (pjesa më e madhe e lojtarëve janë punonjës bankash, nëpunës etj.).Dy gola, nga një për çdo pjesë loje zhvlerësuan shënjestrën-rekord të Bogdanit, e cila i dha Shqipërisë barazimin e përkohshëm. Kuqezinjtë gabuan thuajse gjithçka në këtë 90 minutësh: formacioni tejet abstrakt, me “pleq” që mezi lëviznin në fushë dhe me një modul loje, që nuk ishte provuar në asnjë ndeshje më parë nga Kuzhe. Lojtarë, të cilët mundoheshin më shumë të luanin për vete, sesa në konceptin “skuadër”, pa asnjë lloj organizimi apo fantazie dhe, në fund, të pushtuar totalisht nga nervozizmi. Mund të themi me plot gojë se u asistua në ndeshjen më të dobët që kjo skuadër ka luajtur minimalisht në dekadën e fundit. Nisur nga mungesa e Canës, Dallkut dhe Currit, trajneri kroat i kuqezinjve hodhi në fushë një skuadër tejet të ç’balancuar, ku në pamje të parë binte në sy mesfusha me tre veteranë: Lala, Duro dhe Skela. Por nëse kapiteni, të paktën, është stërvitur rregullisht te Hanoveri i tij në Gjermani, dy të tjerët, jo vetëm që nuk kanë skuadër, por nuk kishin prekur top me këmbë (përveçse në Kombëtare) që nga mbyllja e sezonit të shkuar. E megjithatë Kuzhe lë në stol Bakajn në superformë, Hykën, gjithashtu dhe i beson “veteranëve”, të cilët treguan se pensionin duhet ta kishin marrë me kohë. Ndërsa në sulm, Kuzhe luajti me Bogdanin, Salihin e Kapllanin, por edhe ky i fundit tregoi se ishte tejet jashtë forme. Nga ana tjetër, Luksemburgu modest e kishte përgatitur këtë takim sikur të luante një finale dhe kjo gjë u pa më së miri nga vendosja në fushë dhe grinda e lojtarëve. Nga kjo erdhi edhe goli i parë i avantazhit, ku një goditje standarde nuk u largua si duhet nga mbrojtësit tanë. Por, pavarësisht pësimit të golit, ajo që të binte në sy ishte fakti se Shqipëria nuk kishte qetësinë e duhur për të rrezikuar portën e Jubert. Për t’u shënuar vetëm një roveshatë e Salihit që kaloi ngjitur me traun e portës. Në pjesën e dytë, Kuzhe kupton se kishte bërë një gafë të paparë dhe bën menjëherë zëvendësimet. Shqipëria ndryshon, por nuk ka ende qetësi. Agolli bën një gjest foshnjarak dhe ndëshkohet me të drejtë nga arbitri i ndeshjes me karton të kuq, duke e lënë ekipin me dhjetë lojtarë. Gjithsesi, Bakaj inspiron dhe Bogdani arrin të barazojë duke ngjallur shpresë. Kuqezinjtë nisin të besojnë se edhe me një lojtar më pak mund të fitojnë, ndaj mendojmë më shumë për sulmin. Por, harrojnë që Luksemburgu mund t’i ndëshkojë, çka ndodh në minutën e 78-të nga Joakim. Nga ai moment nuk ka më Kombëtare. Bogdanit nuk i mbajnë më nervat dhe del me të kuqe, ndërsa Kuzhe, çuditërisht, bën moskokëçarësin jo vetëm në bankinë, por edhe më pas në konferencën për shtyp. Imagjinoni pak tani se çfarë do të ndodhte, sikur në krye të Kombëtares të ishte një trajner shqiptar, i cili do të paguhej edhe 10 herë më pak se kroati…
Kuzhe, moskokëçarës: Faji i mbrojtjes
Nuk do t’ia dijë se skuadra e tij ka humbur ndaj një ekipi modest. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, jo vetëm që nuk ka pranuar të mbaj asnjë përgjegjësi, jo vetëm që nuk ka pranuar që të japë apo të mendojë dorëheqjen, por ka shkuar edhe më tej duke pohuar se faji i humbjes ishte i mbrojtjes dhe jo i zgjedhjeve të tija. “Nuk kam pse të jap dorëheqjen. Unë kisha një skuadër me shumë mungesa dhe gabimet u bënë nga mbrojtësit të cilët duhet të ishin treguar më të kujdesshëm. Hodha në fushë një skuadër, që do më jepte tri pikët, por pashë se disa lojtarë nuk m’u përgjigjën si duhet, ndaj edhe bëra zëvendësimet në pushim të ndeshjes. Mendoj se duhet të vazhdojmë përpara dhe të mendojmë për rinovimin e skuadrës. Në gjykimin tim, pas këtij takimi disa lojtarë nuk do të thirren më në Kombëtare”, ka thënë Kuzhe. Ndërkaq, trajneri i Kombëtares, nuk ka lënë pa i hedhur një pjesë të fajit të këtij dështimi edhe arbitrit finlandez për dy kartonët e kuq, paçka se si Agolli dhe Bogdani i merituan ndëshkimet në kuptimin e plotë të fjalës (s’dihet se çfarë ka parë Kuzhe). “Abitri na dënoi me dy kartonë të kuq, duke u bërë protagonist. Mendoj se si te Agolli dhe te Bogdani e kuqja ishte e ekzagjeruar”, ka pohuar Kuzhe, kontrata e të cilit zor se do të rinovohet pas këtij turpi në Luksemburg.
Holtz: Merituam fitoren, ishim më mirë se Shqipëria

Trajneri i Luksemburgut, Luk Holtz, ka vlerësuar maksimalisht lojën e skuadrës së tij, duke pohuar se e merituan fitoren për arsye se luajtën më mirë se shqiptarët. “Është një mbrëmje e paharrueshme për ne. Luajtëm një ndeshje shumë të mirë dhe e merituam fitoren. Kisha përgatitur skuadrën për këtë takim dhe donim medoemos që të merrnim pikë. Mendoj se në fushë e dominuam lojën, dhe pse në pjesën e dytë, për një moment, gabuam kur Shqipëria na barazoi, ne ditëm si ta kthenim gjithçka në favorin tonë”, ka pohuar Holtz.
Bogdani, rekord me Kombëtaren
Doli mbrëmë me karton të kuq për shkak të një nervozizmi deri në tepri, por, para atij gjesti, sulmuesi shqiptar ishte ndër më të mirët në fushë për skuadrën tonë. Madje, ai shënoi edhe golin e vetëm të kuqezinjve në këtë takim, i cili rezulton të jetë goli i 15-të për të, duke kaluar kështu Alban Bushin në renditjen historike të golashënuesve të ekipit tonë përfaqësues. “Loku” u ndal te kuoata e 14 golave, ndërsa Bogdani, me dy golat e shënuar në dy ndeshjet e fundit, e tejkaloi. Pas Bushit, renditet Skela me 13 gola.
Kartonët, 3 nuk luajnë me Francën
Admir Teli, Erjon Bogdani dhe Ansi Agolli nuk do të jenë pjesë e përfaqësueses për ndeshjen e 7 tetorit ndaj Francës. Mbrojtësi shkodran kishte një karton më parë dhe, me atë të marrë mbrëmë ndaj Luksemburgut, pezullohet automatikisht për takimin e radhës. Ndërkaq, Bogdani dhe Agolli u ndëshkuan me kartonë të kuq në takimin e djeshëm, ndaj nuk do mund të luajnë në “Parc de Princes” në Paris ndaj “gjelave”. Kështu, përveç vështirësisë, Shqipëria s’do ketë edhe 3 titullarë.
Kombëtarja humb 3 mijë € premio
Tri mijë euro premio do të merrte secili lojtar i Kombëtares që do të aktivizohej në takimin me Luksmeburgun, në rast se ky takim do të fitohej nga kuqezinjtë. Lajmi surprizë u dha nga vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, disa orë para fillimit të këtij takimi. Duka pati paralajmëruar që më parë ekipin për vështirësinë e këtij takim edhe pse bëhej fjalë për një skuadër modeste në krahasim me ekipin tonë. Në fund, kuqezinjtë humbën, jo vetëm një takim që duhet ta fitonin medoemos, por edhe një shpërblim prej tri mijë eurosh.
Luksemburg 2
Shqipëri 1
Shënues: Betmer 27′, Joakim 78’/ Bogdani 64′
Kartonë të verdhë: Shnel/ Teli, Lala, Bogdani
Karton i kuq: Agolli 54′,
Bogdani 85′
Gjyqtarë: Peter Karin/ E.Vehvilainen dhe J.Ikonen (FIN)
Luksemburgu: Joubert, Bukviç, Bleiz, Betmer, Shnel, Mutsh, Pajal Levek (Joakim 68′), Gerson; Janish, Da Mota (Bensi 70′).
Trajner: Luk Holtz
Shqipëria: Ujkani, Vangjeli, Veliu (Bulku 62′), Teli, Agolli, Duro (Bakaj 46′), Lala, Skela, Kapllani (Muzaka 46′), Salihi, Bogdani.
Trajner: Josip Kuzhe
Grupi D
Renditja & ndeshjet
Rumani-Shqipëri 1-1
Shqipëri-Luksemburg 1-0
Shqipëri-Bosnjë 1-1
Bjellorusi-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Bjellorusi 1-0
Bosnjë-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Francë 1-2
Mbrëmë
Rumani-Francë 0-0
Bosnjë-Bjellorusi 1-0
Luksemburg-Shqipëri 2-1
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
Franca 8 5 2 1 17
Bosnja 8 5 1 2 16
Rumania 8 3 3 2 12
Bjellorusi 9 3 3 3 12
Shqipëria 8 2 2 4 8
Luksemburg 9 1 1 7 4
EURO 2012/ Rezultatet
Grupi A
Azerbajxhan-Kazakistan 3-2
Austri-Turqi 0-0
Grupi B
Rusi-Irlandë 0-0
Maqedoni-Andora 1-0
Sllovaki-Armeni 0-4
Grupi C
Estoni-Ir.Veriut 4-1
Serbi-Ish.Faroe 3-1
Itali-Slloveni 1-0
Grupi E
Finlandë-Holandë 0-2
Moldavi-Hungari 0-2
San Marino-Suedi 0-5
Grupi F
Kroaci-Izrael 3-1
Letoni-Greqi 1-1
Maltë-Gjeorgji 1-1
Grupi G
Zvicër-Bullgari 3-1
Angli-Uells 1-0
Grupi H
Danimarkë-Norvegji 2-0
Islandë-Qipro 1-0
Grupi I
Skoci-Lituani 1-0
Spanjë-Litenshtejn 5-0
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











