Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe pasi u vetëofrua për të kandiduar për kryetar bashkie në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme, i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me rezultatet e zgjedhore që ai ka marrë ndër vite.
Në kërkesë, Braçe kërkon të dhëna mbi rezultatet e tij personale në zgjedhjet parlamentare të viteve 1996, 1997, 2001 dhe 2005 në zonat njëemërore të Qarkut Berat, si dhe rezultatin e tij në zgjedhjet e vitit 2021 në Qarku Fier.
Po ashtu, deputeti kërkon informacion mbi rezultatet e Partisë Socialiste në disa procese zgjedhore, përfshirë zgjedhjet parlamentare të viteve 2009 në të gjitha ZAZ-të e Qarkut Berat, 2013 në ZAZ-në e Divjakë, si dhe në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021 në ZAZ-të e bashkive Divjakë dhe Lushnjë, në Qarkun Fier.
LEXO EDHE: Erion Braçe vetëofrohet si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme!
Burime për Panorama bënë me dije se ligjvënësi socialist e ka shprehur ambicien e tij në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialistë në njësinë numër 5 mbajtur dy ditë më parë.
Ky qëndrim i Braçes vjen në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kurdo të mbahen zgjedhjet në Tiranë, kandidatja e PS do të jetë Ogerta Manastirliu, e cila u shpall që në vjeshtën e vitit të shkuar kur u shpallën zgjedhje të parakohshme për Tiranën, por që më pas u anuluan nga Gjykata Kushtetuese.
Erion Braçe u delegua në Tiranë në njësinë 5 pak javë para zgjedhjeve të 11 majit, duke u larguar nga Divjaka ku kishte qenë disa mandate rresht deputet i zgjedhur.
© Panorama.al















