Vetëm një ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ambasadori amerikan ka vijuar takimet me krerët e politikës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, së bashku me ambasadorët e vendeve europiane akredituar në Tiranë, kanë pasur një drekë me kryeministrin Sali Berisha në Vilën qeveritare Nr. 30. Kjo drekë ishte një lamtumirë me rastin e mbarimit të mandatit të ambasadorit bullgar në vendi tonë. Mësohet se ambasadori amerikan Arvizu dhe ambasadorët e vendeve të BE-së kanë folur në lidhje me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe me hapat e tjerë të mundshëm në lidhje me shpalljen e rezultatit në kryeqytet dhe përfundimit të procesit të zgjedhjeve në Tiranë. Pas mbarimit të drekës, ambasadori Aleksandër Arvizu ka shkuar menjëherë në selinë e Partisë Socialiste për të disatën herë gjatë tri javëve të fundit, ku është takuar me liderin e opozitës, Edi Rama. Ky takim u bë pas konferencës për shtyp të kreut të opozitës, Rama, i cili e vlerësoi vendimin e KQZ-së si “kanibalizëm elektoral”. Mësohet se takimi zgjati rreth një orë dhe pas përfundimit të tij, ambasadori Arvizu nuk preferoi të japë një koment për mediat për këtë takim. Në takimin e fundit që ambasadorët bënë në selinë e PS-së, Arvizu deklaroi se ruan të njëjtin qëndrim me ndihmëssekretarin e Shtetit, Filip Gorgon. Zyrtari i lartë amerikan deklaroi disa ditë më parë se palët duhet të ruajnë qetësinë larg akteve të dhunës. “Dhuna dhe retorika që kërcënon apo nënkupton dhunë nuk është me vend dhe do të kërcënonte të ardhmen e Shqipërisë. Është gjithashtu e rëndësishme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë punën e tij në mënyrë konsekuente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim që të vendosë besim dhe të sigurojë integritetin e mandatit të tij. Politikanët e Shqipërisë duhet të përqendrohen në angazhimin konstruktiv – veprime që i shkojnë për shtat një anëtari të ardhshëm të Bashkimit Europian – dhe jo në retorikë apo veprime negative, të cilat shërbejnë vetëm për të denigruar procesin. Populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme e të begatë, e cila bazohet mbi vlerat universale dhe shtetin ligjor”, është shprehur Gordon.











