Në thelb, ne jemi një shoqëri e përkëdhelur, me prindër të divorcuar politikisht dhe me trauma psiko-emocionale të së shkuarës. Nuk është çudi që shpesh na pëlqen të shtrijmë këmbën më shumë se jorgani dhe na duken tërheqëse rrugët e shkurtra për të bërë hajër.
Ndërgjegjja kolektive është në nivele qesharake dhe qytetaria shpesh në mungesë. Për ne, faji është pothuajse gjithmonë i tjetrit. Ndërsa vetes i lejojmë komoditetin e bindjes se jemi në rregull.
Por nëse jemi të sinqertë me veten, duhet ta pranojmë: nuk jemi në rregull.
As në shtëpi, as në punë, as në rrugë, as në lokal, as në politikë dhe as në marrëdhëniet tona sociale. Kemi ndërtuar një kulturë ku kritika është e fortë, por përgjegjësia personale është e dobët.
Paradoksi është se nuk jemi një shoqëri e pashkollë. Përkundrazi, kemi me shumicë diploma dhe “masterizime”. Megjithatë, kjo nuk është përkthyer domosdoshmërish në qytetari, etikë dhe përgjegjësi publike. Prandaj pyetja është e thjeshtë: nëse jo ne, kush? Nëse jo tani, kur? Shoqëria nuk është as private dhe as shtetërore. Shoqëria është shpirti i kombit dhe vazhdimësia e ekzistencës së tij. Megjithatë, kur lexon debatet tona publike, duket sikur jemi ende në të njëjtin rreth që nga shekulli i XIX. Tezat, argumentet dhe kundërargumentet shpesh janë të njëjtat. Flasim për të njëjtat probleme, por rrallë ndërtojmë strategji dhe zgjidhje. Ne nuk zgjidhim problemet; ne vetëm i rrotullojmë ato, duke ndryshuar aktorët socialë, por jo logjikën e sjelljes. Do të ishte bukur të më kundërshtonit. Të më thoni se jeni të lumtur dhe me standard. Jo vetëm ju, por edhe komshiu, shoku apo kushëriri juaj. Se jeni bashkë në të mirën dhe të keqen tonë sociale. Sepse koha për të gjetur fajtorë është harxhuar tashmë. Tani na duhen zgjidhje që shërojnë plagët tona sociale.
* Autorja, sociologe
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












