Shoqëria dhe patologjitë e opinionit publik

May 20, 2026 | 8:38

gezim-tushiGËZIM TUSHI

Në jetën e shoqërisë së sotme shqiptare në mënyrë evidente duket se ka shumë gjëra, që në pjesën e sipërfaqes së tyre shfaqen të qarta e normative, por që në të vërtetë në thelbin e tyre janë të keqkuptuara, të interpretuara herë në mënyrë të cekët dhe herë me mendjelehtësi sociologjike. Një prej tyre, me shumë ndikim e peshë në jetën sociale, është kuptimi i drejtë i raporteve midis vlerës ontologjike të vlerës së opinionit publik, midis publikes dhe privates, vlerësimit objektiv të peshës ndikuese të publikut, nga njëra anë, dhe fenomenologjisë së interpretimeve të shfaqjeve të diversifikuara e kaotike, të tipologjisë së përbashkët të opinionit në jetën publike të shoqërisë shqiptare. Këto janë probleme me peshë sociale, por për fat të keq, nën ndikimin e koncepteve të trashëguara, duken jo aq shumë të vlerësuara.

Madje, shumë shpesh të trajtuara herë në mënyrë sempliste, e herë me nënvleftësim pragmatist dhe empirik, duke nënvleftësuar faktin se problemet janë bërë tejet thelbësore, dhe kusht sine qua non për rregullimin e ekuilibrave të dëmtuar të raporteve midis shoqërisë dhe individit, sovranitetit të koncepteve, sjelljeve dhe performancës së konceptimit dhe ndërtimit të jetës private dhe nevojës paralelisht të pashmangshme, për ekzistencën konstante dhe në evolucion të opinionit shoqëror të përbashkët, të shëndoshë e ndikues në plotësimin e nevojës për formatimin e jetës sociale.

Në kushtet e jetës liberale, prirjeve konsistente individualiste, dobësimit dhe shpërbërjes së strukturave bazë të jetës sociale tradicionale, të dominimit të njeriut të vetëmjaftueshëm, narcizist dhe egoist, me lidhje të kufizuara më “tjetrin” dhe shoqërinë në tërësi, duket se është zbehur roli dhe besimi për vlerën sociale dhe forcën ndikuese, madje edhe “profecinë sociale”, që vinte nga interferimi omnipotent i peshës së opinionit publik. Në realitetin e sotëm të shoqërisë shqiptare, është fare evident fakti që “…opinioni publik që dikur ishte shprehje e publikut, merr edhe më tepër formën e një imazhi të cilit publiku ja përshtat shprehjen e tij”. Jean Baudrillard, “Shoqëria e konsumit”, f 312

Natyrisht, duhet të jemi të qartë dhe t’i vlerësojmë me objektivitet, këto realitete të “përmbysura” dhe arsyet e tyre. Sepse disa anomali kalimtare dhe deformime patologjike të raporteve aktuale të opinionit publik janë të lidhura me të kaluarën tonë historike, reminishencat e saj, të cilat akoma kanë ndikim në strukturën dhe modalitetet e formimit të “shpirtit publik” tek qytetarët tanë. Është historikisht e afërt koha, kur opinion publik në vendin dhe shoqërinë tonë, ishte tërësisht i nënshtruar ndaj autoritetit të shtetit dhe pushtetit të pakufizuar të qeverive, të cilat ndërtuan modelin social totalitar, në mënyrë që liria e individit dhe bashkë me të edhe zëri i opinionit publik të ishin të mbytur e të mos dëgjoheshin asnjëherë.

Ne jetojmë në kohë të reja, në periudhën e jetës moderne kur kanë ndodhur ndryshime të mëdha në raportet e qytetarit me opinionin. Për fat të keq, si kudo edhe në shoqërinë tonë tashmë është e shfaqur hapur tendenca sociale që tregon se opinioni publik është dobësuar strukturalisht dhe për pasojë edhe angazhimi i qytetarëve në çështjet publike është në rënie të pandërprerë. Në këtë kontekst, duhen kundërshtuar idetë qarkulluese dhe pa përgjegjësi të atyre që këtë problem e shikojnë në mënyrë sipërfaqësore, nga që kanë koncepte të deformuara për jetën shoqërore dhe vlerat e përbashkëta mbi të cilat ndërtohet dhe funksionon opinioni publik. Është koha kur realiteti ynë social duhet parë me optikë të fokusuar drejt, si mënyrë për të të ekuilibruar raportet e individit, mendësitë qytetare me kornizën e një opinion publik më social e më të qëndrueshëm.

Koha dhe realiteti ynë dëshmon që shoqëria jonë është në situatë të tillë, kur për shumë arsye historike e aktuale, objektive e subjektive ka ndërlikuar dhe vështirësuar konceptet dhe mekanizmat e nevojshme, që rregullojnë sjelljen individuale, adoptimin me normat e opinionit publik, ndikimet e tij në ndërtimin e të “mirës publike”, duke pranuar nevojën që krahas spikatjes së individualizmit, të punojmë edhe për të rindërtuar një “shpirt publik” të llojit të ri, të përshtatshëm për kohën që jetojmë. Unë besoj se këto arsye, nevoja e imperative sociale, shqetësimet që kemi dhe na shoqërojnë përditë në jetën tonë, na detyrojnë që këto probleme t’i vlerësojmë si shumë të rëndësishme. Sepse ato nuk janë më epifenomene sociologjike por realitete empirike, të ndryshuara dhe të ristrukturuara nga ndikimet transformuese të jetës postmoderne dhe shfaqjet komplementare të simulimit dhe simulakrave që janë tipike në thelbin dhe tipologjinë e saj. Zhvillimet e njëanshme, konceptimet sempliste, pse jo, edhe anarkie në shumë raste, kanë krijuar situata anomike që kanë deformuar këtë “ekuacion social” me rëndësi ekzistenciale, në emër të spikatjes së njëanshme dhe ekskluzive të individualitetit, paqëndrueshmërinë e lidhjes dhe marrëdhënieve me të tjerët, duke “copëtuar” dhe fragmentuar fizikisht dhe metafizikisht nevojën për një opinion publik qytetar e të qytetëruar. Sepse jam i sigurt, që zgjerimi i lirisë individuale dhe sjelljeve subjektive të njeriut, kanë nevojë në një masë të caktuar për praninë e një opinioni publik, që ka vlerë sepse është “syri shqyrtues” i shoqërisë.

Duke dëgjuar debatet publike dhe diskutimet empirike, kuptimet ambivalente për raportet e mendimit individual me opinionin e përbashkët, në mënyrë evidente evidentohet dhe është fare i qartë, diagnostikimi social i një të vërtet të hidhur: shoqëria shqiptare në këtë moment është përballë ndikimeve të një opinioni publik kaotik dhe të çrregulluar. Dhe këto janë anomali janë të thella, me pasoja që nuk prekin vetëm sipërfaqen e këtij opinioni, por kanë ndikim esencial, imponues në thelbin e tij të qenësishëm, si prerogativë sociale e pashmangshme dhe kusht për “rindërtimin e qytetarisë” moderne. Sepse është koha kur duhet që të kemi jo qytetarin individualist, indiferent të mbyllur në guaskën e egos së tij, por qytetarin aktiv, “që mbështetet në aftësinë për të gjykuar… që duhet të dijë të mendojë, të ngrihet mbi shprehjen e interesit thjesht personal… t’i shqyrtojë problemet duke marrë në konsideratë interesin e bashkësisë në tërësi”. Patrice Canivez, “Të edukohet qytetari”, f. 203

Por personalisht mendoj se duhet parë edhe ana tjetër e problemit. Sepse shpesh në perceptimin publik, por edhe në interpretimet politike e mediatike, ka vlerësime të paqarta e ambiguitete, të cilat me gjithë ndryshimet teorike e konceptuale që kanë ndodhur në shoqërinë tonë, në vendosjen e raporteve adekuate midis “opinionit publik” dhe “opinionit personal”, “opinionit selektiv profesional”, atij “emocional dhe populist”, ende ekzistencialisht këto raporte shfaqen të shpërjesëtuara. Ka ardhur koha që modelit të vjetër social, t’i heqim paradigmën e vjetër mbështetëse, të rolit përcaktues të “opinionit publik” si një nga format e vjetra tradicionale të gjykimit kolektiv. I duhet dhënë fund, konceptimeve ambiguide, “hipokrizisë” masovike të mbivlerësimit të rolit të masave dhe sidomos, lojës demagogjike me terminologjinë demokratike, që po na pengon në gjykimin e drejtë dhe të vërtetë, të vlerave sociale dhe individëve me vlerë.

Në fakt, kjo tendencë e forcimit të angazhimit të qytetarit në sferën publike ka pësuar detantën e vet, që nga koha e kalimit të shoqërisë nga modern në postmoderne. Sipas sociologut Robert Putnam, është thelbësore “rënia e angazhimit në çështjet publike dhe qytetare”, e cila është shfaqja më elokuente e të vërtetës, se edhe në shoqërinë shqiptare, dobësimi efekteve dhe reflektimeve publike serioze e të dobishme të opinionit është e lidhur me shfaqjen e dobësimit të besimit publik të qytetarit. Fareed Zakaria, “E ardhmja e lirisë” f. 165

Natyrisht, në këtë situatë ka përgjegjësi të diferencuara institucionale, por edhe ndikime toksike të personalizuara të ekzibicionistëve socialë, teorikë apo empirikë qofshin. Është fjala për ata që pretendojnë të jenë influencues apo ndikues në formatimin e opinionit publik. Figura të tilla me status publik, sikurse janë gazetarët, sociologët, opinionistët apo analistët e shumtë që nuk mungojnë, duket se më shumë janë të udhëhequr nga motive pragmatiste dhe ekzibicioniste, pa shfaqur e kuptuar përgjegjësinë e duhur, që të luajnë rolet e tyre sipas pozicioneve që kanë, apo që kanë zgjedhur të luajnë në shoqërinë tonë në mënyrë që të ndikojnë në formimin apo reformimin e opinionit publik, duke e parë dhe vlerësuar këtë moment si bashkëpërgjegjësi qytetare, për të bërë interpretime serioze e objektive për çështje të caktuara të politikës dhe jetës sociale. Përkundrazi, shumë shpesh ndikimet toksike në opinionin publik janë rezultat edhe i “bombardimeve mediatike” të liderëve të medias dhe personazheve të jetës publike, të cilët më shumë se ndikimin në shëndetin e jetës dhe drejtpeshimin e opinionit publik, synojnë efektet e jashtme spektakolare, dëshirat egocentrike për t’u dukur dhe parë nga publiku. Më shumë se orientojnë drejtpeshimin e opinionit publik për të gjetur forcën sociale, ekuilibrin e brendshëm dialektik midis individuale dhe shoqërores, publikes dhe privates, kthehen në faktorë të instrumentalizimit për qëllime të caktuara partiake, merkantiliste apo mercenariste.

Shumë i dobët, periferik e shpesh inekzistent është edhe ndikimi jo konsistent, shpesh i hallakatur apo pse jo edhe i çoroditur i figurave më omnipotente të studiuesve, sociologëve dhe dijetarëve të shkencave sociale e humane, që studimet që bëjnë analizat që realizojnë për tiparet dhe veçoritë e jetës sociale e sjelljes shoqërore të opinionit publik, duhet të gjejnë forma që ato t’i kthehen publikut, të bëhen pronë, pjesë integrale e procesit të strukturimit të bashkë përgjegjësisë sociale si kuintesencë e opinionit publik. Një mision ky ose i realizuar dobët dhe pa përgjegjësi, ose i anashkaluar dhe nënvleftësuar. Opinionin publik për çështje specifike të politikës, kulturës artit, nuk duhet ta “bëjnë masat” konsumatore, por liderët e opinionit profesionist. Vazhdimisht shoqëria jonë, po shfaq probleme të reja, të panjohura, të paparashikuara, për të cilat, nuk është i interesuar vetëm një njeri, një familje apo dhe një komunitet i kufizuar.

Unë mendoj se duhet përqendruar vëmendja dhe angazhimi politik, social, profesional, mediatik e intelektual në luftën e përbashkët për ta bërë opinionin publik sa më refraktar e të strukturuar nga pikëpamja sociale, duke e rregulluar këtë “fushë forcash” sociale me vlerë, duke krijuar lidhje e marrëdhënie të qëndrueshme midis njerëzve si qytetarë të kësaj shoqërie, duke konsoliduar një opinion publik strategjikisht të vlefshëm për individin dhe shoqërinë.

Koha kërkon që opinioni ynë publik të involvuar dhe të angazhuar në problemet që shqetësojnë jetën publike dhe private, politikën, familjen, shkollën, shëndetësinë, gratë, fëmijët, të moshuarit, jetën urbane dhe ambientale. Kjo do të thotë se është kërkesë e kohës, që opinioni publik të jetë jo “teatral” e formal, por faktor social, duke e kthyer atë në sjellje instiktive dhe ekzistencialisht publike.(Umberto Ecco)

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura