Shlyhet kësti i parë 22 milionë euro i Eurobondit

Nov 7, 2011 | 10:48
Berisha e Bode

Këto ditë, Ministria e Financave shleu këstin e parë të Eurobondit, 300 milionë euro, të emetuar në fund të tetorit të vitit të kaluar. Kuponët me çmim 7.5 për qind detyrojnë qeverinë që të paguajë pranë investitorëve që blenë borxhin tonë një shumë prej 22 milionë eurosh, ndërkohë që afati i maturimit të këtij Eurbondi është 5-vjeçar. Deri në fund të këtyre pesë viteve, qeveria llogarit të shlyejë plot 112 milionë euro. Pagesa e para disa ditëve konfirmohet nga burime brenda Ministrisë, çka shpreh edhe kujdesin e qeverisë shqiptare për të qenë korrekte në shlyerjen e këtij detyrimi, për shkak edhe të interesit që kjo e fundit ka vijuar të shfaqë në vazhdimësi për të qenë aktive në tregjet e kapitalit. Përgjatë 2011-s, Kryeministri Berisha foli disa herë për një Eurobond të mundshëm, por kjo u lë mënjanë menjëherë pas situatave që u krijuan në eurozonë, megjithatë interesi i qeverisë për të zëvendësuar një borxh me interes më të lartë me një borxh me një interes më të ulët vijon të mbetet kyç. Borxhi i Shqipërisë që u ble më 28 tetor në tregjet e kapitalit vitin e kaluar kaloi një periudhë të gjatë diskutimi deri në arritjen  e mbylljes me sukses të transaksionit. Paratë që u morën nga Eurbondi shkuan për shlyerjen e kredisë sindikale të marrë me një interes tejet të lartë në vitin 2009. Në kohën që u mor Eurobondi, nga Financat u lakua shpesh se ristrukturimi i borxhit përmes këtij Eurobondi do t’i kursente buxhetit mesatarisht 7 milionë euro çdo vit, apo rreth 1 miliardë lekë të rinj në vit.
Borxhi ndaj bankave
Shlyerja e këstit të parë të Eurobondit nuk i jep fund detyrimeve “të mëdha” që qeverisë i duhet të paguajë këto muaj të fundit të vitit. Në dhjetor, një tjetër detyrim pret që të shlyhet, dhe ky është borxhi 20 milionë euro që qeveria u ka bankave të nivelit të dytë në vend. Por, lidhur me këtë duket se nuk ka asnjë emergjencë, për shkak edhe të alternativave që ekzistojnë për marrëveshje. Kështu, qeveria mund të zgjedhë të shlyejë 20 milionë eurot që u mori bankave nga bonot e thesarit në mars të këtij viti me afat 9-mujor, afat që mbaron më 27 dhjetor ose mund të shlyejë një pjesë të shumës prej 20 milionë eurosh dhe pjesën tjetër ta shtyjë. Këtë praktikë qeveria e vuri në jetë në mars, kur nga 25 milionë euro që duhet t’u kthente bankave, u ktheu vetëm 5 milionë euro, ndërsa 20 milionët e tjerë vijoi t’i mbante me interesin 6.3 për qind, një interes ky pak më i lartë se në 2010-n, kur yeldi  mesatar i ponderuar vlerësohej 6 për qind.

22 milionë euro
ishte kësti që Ministria e Financave pagoi për interesin 7.5 për qind të 300 milionë eurove të emetuara nga Eurobondi i parë, që u mor në fund të tetorit të vitit të kaluar, me një afat maturimi 5-vjeçar. Deri në fund të këtij 5-vjeçari, qeveria do të duhet të paguajë 112 milionë euro si interes.

300 milionë euro
ishte vlera e Eurbondit që u emetua në tregjet e kapitalit vitin e shkuar. Edhe gjatë këtij viti qeveria u shpreh se ishte e interesuar për një Eurobond, por asnjëherë nuk mori nismën për të dalë sërish në tregje.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura