
Vasil Shkurtaj është thuajse një lojtar i Tiranës. Sulmuesi 19-vjeçar, i rritur tek Akademia e Ajaksit të Amsterdamit dhe Olimpiakosit të Pireut, nuk ka firmosur ende kontratën me bardheblutë por, sipas informacioneve, mes tij dhe presidentit të Tiranës, Refik Halili, është arritur një akord paraprak. Talenti, i cili ka provuar edhe fanellën e Kombëtares shqiptare të U-21, shihet si përforcim në sulmin e Tiranës, repart ky që ka vuajtur shumë gjatë ndeshjeve të para. Ndërkaq, mësohet se klubi i Panioniosit ka kërkuar që ta japë fillimisht në huazim me të drejtë shitjeje, ndërsa te Tirana është kërkuar që lojtari të vishet bardheblu, vetëm nëse grekët e shesin përfundimisht kartonin e Shkurtaj. Sulmuesi aktualisht është pjesë e skuadrës greke të Panioniosit, klub nga i cili erdhi edhe Jahmir Hyka, në fillim të këtij viti. Por, duke mos pasur hapësira aktivizimi, menaxheri i lojtarit (mësohet jo zyrtarisht, që ky i fundit ka pasur edhe probleme me drejtuesit grekë për sa i përket anës financiare, ndaj edhe ka shtyrë lojtarin që të gjejë një klub të ri), i ka sugjeruar kalimin te një skuadër si Tirana, ku Shkurtaj mund të rritet shumë si futbollist. Paraprakisht, Panioniosi ka rënë dakord, por duke lejuar që Shkurtaj të vijë te Tirana në formë huazimi, çka nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit bardheblu. Presidenti Halili ka vënë si kusht blerjen e kartonit të lojtarit, me qëllim që klubi të përfitojë jo vetëm nga shërbimet e këtij të fundit, gjatë sezonit në vazhdim, por edhe financiarisht, në rast se do kërkohet nga një skuadër e huaj. Madje, Halili ka ofruar një kontratë minimalisht 2-vjeçare me një pagë, që mund të shkojë deri në 3 milionë e gjysmë lekë në muaj (gjithsesi kjo do varet nga aktivizimi i Shkurtaj te Tirana).
Zongo, fantazisti nga Afrika te bardheblutë
Quhet Masibusane Zongo. Ka lindur në Afrikën e Jugut (30 mars 1990) dhe luan si mesfushor organizator për skuadrën e Supersport Junajtid, në Premier Ligën afrikano-jugore. Është pikërisht ky lojtar, që mund ta zëvendësojë Mahmud Al Ajmin te Tirana. Menjëherë sapo mësuan faktin se mesfushori nga Bahreini nuk ka ndër mend të kthehet në Shqipëri, drejtuesit u vunë në lëvizje duke zgjidhur problemin më akut të skuadrës: organizatorin. Ndërkaq, dje është kontaktuar edhe me menaxherin anglez të Zongos dhe me shumë gjasa lojtari mund të vijë në Shqipëri në fund të kësaj jave, që të testohet fillimisht nga trajneri Hulian Rubio. Duke mos pasur një CV dhe DVD të lojtarit, drejtuesit e Tiranës nuk kanë dashur të rrezikojnë. Ndaj, kanë kërkuar që fillimisht Zongo të vinte për provë në Shqipëri dhe, vetëm pasi trajneri të bindej për të, të flitej konkretisht për një kontratë.











