SHKODER – Mbi një mijë ndërtime në plazhin e Velipojës do t’u japin fund gropave septike. Sistemimi i kanalizimeve të ujërave të zeza sapo ka filluar, ndërsa projekti që do të zgjasë tre vjet, do të përmbyllë gangrenën e krijuar në këtë plazh. Drejtori rajonal i Mjedisit në Shkodër, Lilian Idrizi, e ka konsideruar si një minë ekologjike mungesën e këtij rrjeti. Por, falë një financimi prej rreth 8 milionë eurosh nga ana e Bankës Botërore, këto ditë pritet të fillojë faza e parë e punës për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, si dhe të një impianti për përpunimin e derdhjen e tyre në det. Sipas kryetarit të kësaj komune, Pashko Ujka, tenderi është kryer dhe firma fituese ka sjellë makineritë e punës. Ai theksoi se këto ditë pritet të fillojë puna. “Investimi është i ndarë në dy faza. Në fazën e parë, e cila do të mbyllet brenda 14 muajsh, përfshihet gjysma e vijës bregdetare nga rezervati natyror deri në qendër të plazhit. Ndërsa në fazën e dytë përfshihet pjesa nga qendra e plazhit deri në lagunën e Vilunit. I gjithë projekti ka një kosto totale prej 15 milionë eurosh”, u shpreh Ukja. Me përfundimin e këtij investimi pritet t’i jepet zgjidhje një prej shqetësimeve me të mëdha për këtë zonë, administrimit të ujërave të zeza nëpërmjet rrjetit inxhinierik nëntokësor. Në plazhin e Velipojës janë mbi një mijë ndërtime. Mes tyre ka hotele disakatëshe. Pothuajse të gjitha ndërtesat nuk kanë bërë kanalizime të ujërave të zeza, por funksionojnë me gropa septike. Po kështu, shtresat ranore gjatë gjithë këtyre viteve thithin ujërat e zeza dhe tashmë ato janë të mbingopura, ndaj nuk arrijnë të bëjnë depërtim të plotë. “Për Velipojën nuk është shqetësuese as energjia elektrike, as uji i pijshëm apo asfaltimi i rrugëve, para problemit të madh të ujërave të zeza, problem që do të ketë pasoja shumë të mëdha për plazhin tonë”, është shprehur drejtori rajonal i Mjedisit, Lilian Idrizi. Sipas tij, nëse do të vazhdohej më gjatë me këtë situatë, plazhi i Velipojës do të ishte para një rreziku të epidemisë. Ujërat e zeza nëpërmjet shtresave ranore rrjedhin, depërtojnë e filtrohen dhe mund të kalojnë në det. r.d











