
Numërimi për Bashkinë e Shkodrës vazhdon të ketë në avantazh kandidatin demokrat, Lorenc Luka, i cili ka pasur përparësi në të gjitha qendrat e votimit.Në këtë mënyrë është thelluar rezultati ndaj rivalit të tij të koalicionit për të ardhmen, Genc Uruçi. Ajo që të bën përshtypje gjatë numërimit të 30 qendrave të para të votimit është se Luka ka arritur që t’i fitojë të gjitha qendrat e votimit, edhe pse prej tyre, në vitin 2007, kryebashkiaku aktual humbi në 4 qendra. Kjo tregon se gjatë 4 viteve të para të mandatit të parë të tij si kryetar bashkie ai ka arritur që të fitojë besimin edhe në ato zona ku PD-ja nuk ka pasur rezultate pozitive në zgjedhjet e mëparshme. Në orët e mbrëmjes, në Shkodër ishin hapur 38 kuti nga 95 gjithsej, duke i dhënë një avantazh Lukës prej rreth 3500 votash. Konkretisht, Luka i PD-së kishte siguruar 8487 vota, ndërsa Uruçi i PS-së 4961 vota.
Ndërkohë që ka përfunduar procesi i numërimit të votave për Bashkinë e Vaut të Dejës, ku përfaqësuesi i Aleancës për Qytetarin Gjon Marku ka fituar me 20 vota diferencë. Ndërkohë që i papritur ka qenë rezultati në komunën e Gurit të Zi të rrethit Shkodër, ku PD thyhet për herë të parë në këtë komunë gjatë këtyre viteve. Ka qenë përfaqësuesi i PDK-së, në aleancë me koalicionin Aleanca për të Ardhmen Mark Lazej, që jo vetëm ka mundur rivalin e tij të PD që njëkohësisht ishte edhe kryetari aktual i kësaj komune, por ai i ka fituar të gjitha qendrat e votimit të kësaj komune.
Duke iu referuar të dhënave të para për këshilla bashkie e komuna rezulton se e djathta ka marrë pjesën më të madhe deri tani, dhe në komunat ku ka fituar PS-ja. Partia demokratike është forca e parë politikë në qytet, më pas renditet PS dhe forca e tretë është Partia Republikane. Kjo është e njëjta renditje si në zgjedhjet e vitit 2007 ku republikanët ishin forca e tretë politike në këshillin e mëparshëm të bashkisë.
Ndërsa numërimet vazhdojnë pritet një betejë e fortë politike për dy komuna të Nënshkodrës, komunës Velipojë, komunës së Dajçit, si dhe të komunës Bërdicë. Kujtojmë se në këtë të fundit pati përçarje mes koalicionit për Qytetarin ku PD megjithëse këtë komunë ia kishte lënë me marrëveshje kandidatit të PR-së, ajo vetëm një javë para zgjedhjeve u distancua nga kandidati Qamil Xhurreta duke mbështetur një kandidat të pavarur. E veçanta e këtyre tre komunave është se kandidojnë kryetarët aktualë për secilën prej tyre dhe përballë kanë përfaqësues të PS si dhe kandidatin e PDK në komunën e Velipojës, por janë edhe dy kandidatë të pavarur në komunat e Dajçit dhe të Bërdicës, por që vijnë nga krahu i djathtë. Kështu që nuk dihet se sa do të ndikojnë këto zgjedhje për kandidatët e PS që të përfitojnë nga ndarja e votave të djathtëve.
SHKODER
Bashkia Pukë
Beqir Arifi, PD 955 vota
Enver Sulejmani, 902 vota
Bashkia Vau i Dejës
Gjon Marku PD fiton me 21 vota plus ndaj kandidatit të PS-së, Dedë Dodani
Komuna Bushat
Zef Hila PD 4029 vota
Gojart Salja PS 1996 vota
Komuna Gruemirë
Lirim Nehani PS 1685 vota
Asim Burgaj PD 1655
Komuna Rrethina
Kleves Muja, PS fiton me 3159 vota kundrejt Gëzim Hardollit me 2640 vota
Komuna Gur i Zi
Mark Lazej, i PDK-së, (Aleanca për të Ardhmen) fiton ndaj rivalit të PD-së
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











