Shkodër, liqeni kthehet në kënetë, largohen edhe turistët

Nov 8, 2011 | 10:52
Liqeni i Shkodrës, ku dallohet tharja e ujit

SHKODER – Liqeni i Shkodrës kthehet në kënetë. Pamja që ofron një nga pikat më të preferuara turistike për zonën e Shkodrës është tronditëse. Sipërfaqe të tëra janë kthyer në kënetë. Bimësia e madhe që ka përfshirë mbi 50 për qind të sipërfaqes së liqenit po çon në shkatërrimin e tij. Sipërfaqja e ujit është reduktuar shumë për shkak të thatësirës, dhe në disa pjesë të liqenit dy anët e tij po shkojnë drejt bashkimit. Specialistët vazhdojnë të japin alarmin. Sipas tyre, bimësia ujore, ujërat e zeza dhe ato të bardha që derdhen në liqen prej 20 vitesh, mbetjet urbane dhe detergjentet me përbërje fosfori po e shkatërrojnë atë. Bashkë me kthimin e liqenit në një kënetë, po vijnë dhe probleme të tjera. Era e keqe dhe insektet e shumta e bëjnë të pamundur qëndrimin në breg të saj. Turizmi ka pësuar një rënie të dukshme. Madje, pronarët e lokaleve ngulim këmbë që situata të mos bëhet publike, se kështu ata do të humbasin edhe ata pak klientë që iu kanë mbetur. “Ju lutem mos e pasqyroni këtë situatë, pasi nuk do të na vijnë klientë në lokale. Ka kohë që kemi një numër të vogël klientësh në lokalet tona”, shprehet një nga pronarët e lokaleve në rrugën e Shirokës. E ndërsa turizmi po shkatërrohet, banorët e Shirokës po vuajnë mungesën e të ardhurave. Të mësuar ndër shekuj të jetojnë me peshkim, tashmë ata duhet të heqin dorë prej tij. Gjatë bisedave me ta mësojmë se kënetëzimi i gjithë kësaj sipërfaqeje po e bën të pamundur peshkimin. “Ne nuk mund të dalim me lundra në liqen për të peshkuar. Nuk mund të kalohet nga gjithë kjo bimësi. Po rrezikojmë jetët tona në këto kushte. Dalim me vështirësi, ndezim lundrat dhe kthehemi sërish me rrjeta bosh. Vetëm shpenzojmë karburant në rastet kur dalim”, thotë një nga peshkatarët e vjetër të zonës.     r.d

© Panorama.al

Te lidhura