
Gjashtë të rinjtë të akuzuar për vrasjen e taksistit Fredi Talelli do të rigjykohen nga Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë. Gjykata e Apelit në këtë qytet ka dhënë vendimin për 6 të pandehurit, të cilët akuzohen se grabitën dhe më pas vranë taksistin 35-vjeçar Fredi Talelli, nga fshati Pilur i rrethit të Devollit. Trupi gjykues i Apelit ka vendosur rikthimin e çështjes pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me argumentimin e shkeljeve procedurale të konstatuara nga kjo gjykatë. “Gjykata e Faktit, e cila dënoi me burgim të përjetshëm Elkjero Revanin dhe me 52 vjet burgim 5 të pandehurit e tjerë: Arnest Xhaçka, Kastriot Papleka, Domeniko Kumria, Amarildo Selmani dhe Jurgen Zeqja, ka kryer shkelje të rënda procedurale në zbatimin e ligjit, pasi nga dënimet e dhëna për këta të pandehur nuk është marrë në konsideratë kërkesa e zhvillimit të procesit me gjykim të shkurtuar, si edhe kërkesa e të pandehurve për ndryshimin e trupit gjykues”, ishte argumenti i Apelit. Sipas vendimit të kësaj Gjykate, çështja në ngarkim të të rinjve do të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe do të shqyrtohet nga një trupë tjetër gjyqësore. Gjatë zhvillimit të seancës ka pasur debate midis mbrojtjes dhe organit të akuzës, pasi sipas avokatëve, lidhur me këto dy pika. Nga ana e tyre avokatët kanë insistuar në faktin se Gjykata ka bërë shkelje të rënda procedurale në zhvillimin e procesit gjyqësor. Organi i akuzës ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtësve të të pandehurve për shkelje të ligjit procedural nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë, por ka cilësuar shkelje nga kjo Gjykatë vetëm masën e dënimit të dhënë për Arnest Xhaçkën, me 16.5 vite burg, duke kërkuar uljen e dënimit në 12.5 vite burg për tejkalim të maksimumit të dënimit të përcaktuar nga ligji. Sipas vendimit, Elkjero Revani, 23 vjeç, ka marrë dënimin maksimal me burg të përjetshëm për vjedhjen me pasojë vdekjen e taksistit, pasi e ka goditur viktimën me çekan në kokë, ndërsa 17-vjeçari Arnest Xhaçka është dënuar me 16 vjet, pasi ka qëlluar taksistin me armë. Me 8 vjet heqje lirie është dënuar Domeniko Kumria nga Elbasani që strehoi autorët dhe hodhi makinën në lumin Shkumbin, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe përkrahje të autorëve të krimit. Gjykata ka dënuar edhe Kastriot Paplekën me 5 vjet për pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe armëmbajtje pa leje, dhe dy minorenët e tjerë, Amarildo Selmani dhe Jurgen Zeqja, me 6 muaj burg.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI











