Shkatërrohet organizata e trafikut të drogës në Itali, në pranga 9 persona! 8 prej tyre shqiptarë

Jan 20, 2026 | 13:23

Një operacion kundër trafikut të drogës është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Itali, duke çuar në arrestimin e 9 personave, 8 shqiptarë dhe një italian.

12

Hetimet janë vijim i operacioneve të mëparshme  “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 kishin çuar në arrestimin e 35 personave.

Nga hetimet, rezulton se organizata kishte kapacitet të lartë logjistik dhe financiar, duke importuar sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuane nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja, të fshehura në kamionë me ngarkesa perimesh.

Vetëm në 6 muaj, grupi kriminal dyshohet se ka shpërndarë mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1 ton hashash e marijuanë, duke gjeneruar fitime në miliona euro.

Anëtarët e organizatës komunikonin përmes platformës së koduar “SkyECC”, e cila u çkodua nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, duke i hapur rrugë zbardhjes së aktivitetit kriminal.

Në total, janë 15 persona nën hetim, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan drogë, para cash dhe mjete komunikimi. Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si goditje të fortë ndaj kupolës së organizatës kriminale.

© Panorama.al

Te lidhura