Shkarkohen 600 zyrtarë të lartë policie

Jul 14, 2011 | 12:30

Në Egjipt nisi dje shkarkimi masiv i oficerëve të lartë të policisë, të cilët vepronin që në kohën e Mubarakut. Rreth 600 oficerëve të lartë u bënë pjesa e parë e spastrimit të premtuar të forcave të rendit, që fajësohen për abuzime kronike gjatë sundimit të Hosni Mubarakut. 505 prej tyre ishin gjeneralë të lartë. Lëvizja e urdhëruar nga Ministri i Brendshëm, Mansour el-Eisauj, shënoi një hap të parë drejt plotësimit të kërkesës kryesore të protestuesve. Të mbledhur sërish në sheshin Tahrir të Kajros, ata duan që Ministria e Brendshme të ristrukturohet dhe të pastrohen oficerët e Mubarakut të përfshirë në vrasjen e rreth 900 protestuesve gjatë kryengritjes së 18 ditëve në periudhën janar-shkurt. Deri më tani, vetëm një oficer i policisë është dënuar për vrasjen e protestuesve. Ai u dënua me vdekje, në mungesë. Grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar autoritetet egjiptiane për ritmin e ngadaltë të gjykimeve të policëve. Një prej keqardhjeve më të mëdha të egjiptianëve është se ndërkohë që policia e kohës së Mubarakut ende nuk është gjykuar për vrasjet, më shumë se 7 000 njerëz janë dënuar në gjykime të shpejtuara ushtarake.

© Panorama.al

Te lidhura