Shkarkimet, Bashkia: Për një vend janë paguar dy punonjës

Jan 6, 2012 | 10:35
Nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku

Për një vend pune në disa ndërmarrje në varësi të  Bashkisë së Tiranës janë paguar deri tani dy punonjës. Drejtuesit aktualë e kanë konsideruar të fryrë  administratën e këtij institucioni dhe riorganizimi i strukturës është bërë pikërisht për të shmangur mbivendosjet. Në një konferencë për shtyp, nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku, deklaroi dje se pas punonjësve të Shërbimit Funeral do të shkurtohen në  total 300 vende pune. Punonjësit do të paguhen nga Bashkia edhe për dy muajt në vijim, dhe emrat e tyre tashmë janë shtuar në listën e punëkërkuesve që  administrohet nga Ministria e Punës. “Me këtë ristrukturim synohet një shërbim më i mirë ndaj qytetarëve, sikundër është reduktuar fondi i pagave me 4% vitin në vijim dhe këto fonde adresohen për investime”, tha Tabaku. Ristrukturimi ka prekur Ndërmarrjen Nr. 1, që merret me pastrimin dhe gjelbërimin, Ndërmarrjen Nr. 2, që kujdeset për mirëmbajtjen e rrugëve dhe ndriçimin, Ndërmarrjen Nr. 3, e cila merret me mirëmbajtjen e shkollave, si dhe Ndërmarrjen e Shërbimit Funeral. “Që në fillim të punës së tij, ekipi i ri drejtues i Bashkisë së Tiranës ka bërë të ditur se Bashkia e Tiranës do të përmbysë raportin mes shpenzimeve për administratën dhe atyre për investime e shërbime në dobi të qytetarëve, gjë që do të thotë: më pak para për paga dhe më shumë për rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët”, tha Tabaku. Ajo shtoi se menjëherë pas vendimit të Këshillit Bashkiak, ndërmarrjet e varësisë filluan të marrin masa për ta zbatuar këtë vendim të Këshillit Bashkiak. “Sigurisht që nuk ka qenë një vendim i lehtë për ne, por në zbatim të vendimit të Këshillit Bashkiak, ne morëm masat që ky transferim i përgjegjësive te secilat prej ndërmarrjeve të ishte sa më i qartë, funksionet të ishin të ndara dhe, nga ana tjetër, shërbimi i Bashkisë t’i ofrohej çdo qytetari, ashtu siç janë edhe detyrimet tona”, tha Tabaku. Ajo theksoi se ristrukturimi vjen pas  një analize të kujdesshme që është bërë për të  gjitha ndërmarrjet. “Sigurisht që e përmenda pak më parë që nuk është e thjeshtë. Ne po marrim masa që ata të paktën të kenë një pagë prej dy muajsh, siç e lejon edhe kontrata e tyre, ndërkohë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, këta janë të regjistruar në listën e punëkërkuesve për qytetin e Tiranës dhe ne do përpiqemi së bashku me sektorin privat, të shikojmë mundësitë”, tha Tabaku.

300 vende pune janë shkurtuar nga ndërmarrjet në  vartësi të Bashkisë së Tiranës, pas miratimit të  strukturës së re në Këshillin Bashkiak. Preken nga këto ndryshime 4 ndërmarrje, mes të cilave ajo e Shërbimit Funeral, punonjësit e të cilit protestojnë.

4 per qind është reduktuar fondi i pagave për vitin 2012. Kjo sasi parash është adresuar për investime publike, të  cilat, sipas Bashkisë së Tiranës, këtë vit janë trefishuar. Administrata, pas marrjes së drejtimit nga të djathtët, është cilësuar e fryrë.

Sindikata: Është shkelur Kodi i Punës
Pas deklaratës së nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Sindikatave të Pavarura, Kol Nikolla.
Ai e cilësoi deklaratën e Bashkisë qesharake. Sipas Nikollës, Bashkia Tiranë, me një vendim të tillë ka shkelur Kodin e Punës duke mos respektuar asnjë procedurë ligjore. “Punonjësit e funeraleve nuk janë pranuar në punë. Është thyer Kodi i Punës për punonjësit. Do të marrim përsipër ndjekjen e procedurës. Tabaku sapo bëri një deklaratë qesharake, pasi nuk është respektuar asnjë procedurë ligjore. Punonjësit do t’i fitojnë të drejtat e tyre me ligj”, tha Nikolla.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura