INSTAT: GDP ra me 1.7% në krahasim me 3-mujorin e parë 2011.
Shifrat e publikuara së fundi nga INSTAT-i e kanë justifikuar, të paktën politikisht, vonesën në llogaritjen e së dhënës kyçe ekonomike, atë të rritjes së prodhimit të përgjithshëm. Ekonomia shqiptare, së fundi zyrtarisht, është rritur me 0.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, shifër kjo që hedh poshtë të gjitha deklaratat politike për një ekonomi të fortë dhe të paprekur nga kriza. Vetë shifra e ka edhe përgjigjen pse INSTAT-i, një institucion që varet politikisht nga maxhoranca, hezitoi të llogariste rritjen. Më të këqija janë edhe krahasimet që bën INSTAT-i me prodhimin e tremujorit të parë. Rritja 0.5% e ekonomisë është, në krahasim me tremujorin e vitit 2010, por në krahasim me tremujorin e parë të 2011-s ekonomia ka pësuar rënie. “Ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2011 u rrit me 0.5 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2010, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011, u ul me 1.7 për qind”. Shifra e publikuar nga INSTAT-i është më e ulëta që nga viti 2005, me përjashtim të tremujorit të katërt të vitit 2009, kur kriza ekonomike botërore ishte në kulmin e saj. Ekonomia shqiptare nuk ka performuar në asnjë tremujor më keq se kaq, çka tregon se deklaratat e qeveritarëve mund ta kenë kaluar cakun e optimizmit. Që nga janari i viti 2010 ky është tremujori i parë kur rritja ekonomike është negative, me -1.7%, në krahasim me fillimin e vitit. Për ta thënë më thjeshtë, në rast se më 31 mars GDP ishte 100 lekë, më 30 qershor ajo ishte 98.3 lekë. Pra prodhimi jo vetëm që nuk është shtuar, por ka rënë.
INSTAT
“Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin: transporti, shërbime të tjera dhe tregtia, respektivisht me 14.9 për qind, 1.2 për qind dhe 0.3 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2010. Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë ishin industria, postë-komunikacioni dhe ndërtimi me 8.5 për qind, 2.1 për qind dhe me 1.7 për qind”. INSTAT tregon se në krahasim me periudhën janar-mars, gjatë tre muajve pasardhës, industria ka dhënë kontributin kryesor në zvogëlimin e prodhimit të përgjithshëm bruto. “Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011, me rritje më të lartë u paraqitën degët e transportit, me 3.4 për qind, postë-komunikacionit me 2.5 për qind, shërbimet e tjera me 1.1 për qind. Dega e industrisë, ndërtimit dhe tregtisë u shfaqën me rënie krahasuar me tremujorin paraardhës, respektivisht me 13.2 për qind, 7 për qind dhe 0.1 për qind”. Edhe pse fillimviti i kaluar ishte me përmbytje të mëdha në një ndër zonat më të mira bujqësore të vendit, bujqësia, një ndër sektorët që ka më shumë vështirësi në matje, ka pasur rritje si në krahasim me vjet, ashtu edhe me tremujorin e parë. “Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 3.4 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2010 dhe 1.1 për qind kundrejt tremujorit paraardhës”.
17 për qind
ishte ulja e prodhimit të përgjithshëm bruto në krahasim me periudhën janar-mars 2011. Sipas INSTAT-it, prodhimi, produkti i brendshëm bruto, sipas aktivitetit ekonomik (vlera të zhveshura nga efektet sezonale), ishte 234,255 milionë lekë për tremujorin e parë dhe ra në 230,250 milionë lekë në tremujorin e dytë.
0.5 për qind
ishte rritja e prodhimit të përgjithshëm bruto në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2010. Kjo është rritja më e ulët e GDP të paktën që nga viti 2005, me përjashtim të tremujorit të katërt të vitit 2009, ku GDP ra me 0.6% në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2008, viti më i mirë i qeverisjes së djathtë.

400 milionë USD më shumë se 2009
Berisha: Ekonomia OK, Doganat e mbyllën vitin me 101 për qind

Në mbledhjen e parë të qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se doganat arritën të realizojnë 101% mbledhjen e të ardhurave. Sipas tij, vetëm Tatimet kanë pasur një realizim më të vogël, me 2-3 për qind më pak. Duke folur në pjesën e parë të mbledhjes së kabinetit, Kryeministri u shpreh se: “Ne kemi shanse që të tejkalojmë këtë vit, objektivat tanë shumë të mirëstudiuar. U fol, u ranë borive se kanë rënë të ardhurat. Doganat shqiptare e kanë mbyllur me 101%. Tatimet kanë lënë 2 apo 3% më pak. Në total, të ardhurat janë më shumë se asnjë vit, janë 400 milionë dollarë më shumë se viti 2009. Eksportet e dhjetorit kanë shënuar rekord me 170 milionë dollarë. Ky është modeli që funksionon, por ky model mund të funksionojë më mirë në çdo qelizë të tij, me angazhimin tonë të plotë”. Duke i krahasuar shifrat me ato të vitit 2009, kreu i qeverisë tha se të ardhurat në 2011-n ishin 400 milionë dollarë më shumë se dy vjet më parë. “Për çdo qytetar shqiptar dua të informoj se të ardhurat tatimore dhe doganore më 31 dhjetor të viti 2011 ishin 295 miliardë lekë, ishin 400 milionë dollarë më shumë se në vitin 2009. Po i referohem vitit 2009, nuk mund të shkoj te viti 2004, kur në total ato ishin 97 miliardë lekë. Pra, performanca e ekonomisë shqiptare në vitin 2011 ishte e atillë, që realizoi të ardhura më shumë se kurrë në historinë e vendit, realizoi 295 miliardë kundrejt 255 miliardëve që kanë qenë në total në vitin 2009, pra ekzaktësisht 400 milionë dollarë më shumë, ekzaktësisht rruga Elbasan-Tiranë më shumë. Duke theksuar këtë, është në detyrën tonë që këtë vit ta shndërrojmë në një vit suksesi edhe më të madh”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Sipas tij “Ne bëmë disa hapa shumë të rëndësishëm, ne shpallëm faljen, e cila nuk pati rikthimin e kapitalit që mund të rikthehej, por për ne, rëndësi të jashtëzakonshme pati fakti që fituan qytetarët më shumë se gjithë të tjerët. Deri më tani, 15 mijë familje kanë rivlerësuar pronat e tyre”.
Kreu i PS ironizon Kryeministrin Berisha
Rama: Qeveria u propozon shqiptarëve jetë të lumtur e pa kriza

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me deklaratat e Berishës në mbledhjen e qeverisë. Ai i ka konsideruar qesharake deklaratat e tij se shqiptarët duhet të jenë të lumtur, pasi në vend nuk ka asnjë krizë. “Qeveria u propozon shqiptarëve të jenë të lumtur sepse s`ka krizë ekonomike, as papunësi as padrejtësi po veç arritje të mëdha botërore”, ka theksuar Rama, duke i cilësuar këto si gënjeshtra, ndërsa ka propozuar një rilindje shqiptare për rimëkëmbjen ekonomike. “Ne propozojmë një rilindje shqiptare për të lënë pas avazin e vjetër të gënjeshtrave e rimëkëmbur së bashku ekonominë, shoqërinë, shtetin”, pohon Rama. Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri i kushtoi vëmendje edhe performancës ekonomike të vendit, e cila, sipas tij, jo vetëm nuk ra në krizë sipas tij, por me mbledhjen e të ardhurave nga doganat dhe tatimet dëshmoi suksesin e modelit ekonomik shqiptar. “Performanca e ekonomisë shqiptare në vitin 2011 ishte e atillë, që realizoi të ardhura më shumë se kurrë në historinë e vendit. U fol, u ranë borive se kanë rënë të ardhurat. Doganat shqiptare e kanë mbyllur me 101 përqind, tatimet 2, 3 përqind më pak, realizoi 295 miliardë kundrejt 255 miliardë që kanë qenë në total në vitin 2009, pra ekzakt 400 milionë dollarë më shumë, ekzakt rruga Tiranë-Elbasan më shumë. Unë po i referohem vitit 2009, nuk mund të shkoj në vitin 2004, kur në total ishin gjithsej 97 miliardë lekë”, tha Berisha.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











