Sherr dhe gogla, shorti degjeneron në dhunë fizike

Sep 6, 2011 | 11:30

Ka nisur gjithçka si një bisedë miqsh, që ngacmohen me njëri-tjetrin për skuadrat që përfaqësojnë. Por, më pas, mes presidentit të Laçit, Pashk Laska dhe shefit të klubit të Tiranës, Alban Tafaj, biseda ka degjeneruar në një sherr banal. Ka mjaftuar ndonjë fjalë më shumë mes palëve, dhe presidentin laçian e tradhtojnë nervat, duke goditur me pëllëmbë në fytyrë Tafajn. Gjithçka ndodh në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, përpara hedhjes së shortit. Në këtë moment, ndërhyjnë përfaqësuesit e tjerë të klubeve për të qetësuar gjakrat. Tafaj preket shumë dhe nuk i përmban dot lotët, duke kaluar në një prej zyrave të FSHF-së. Pasi qëndron disa minuta, largohet menjëherë nga institucioni i futbollit, duke mos hyrë fare në sallën ku do të hidhej shorti. Ndërkaq, përsa i përket shortit, kampionët në fuqi të Skënderbeut e nisin kampionatin në Korçë, ku do të presin Tomorrin e rikthyer në Superiore pas nëntë sezonesh. Javën e dytë, korçarët luajnë në Tiranë përballë Dinamos që është në një krizë totale dhe më pas presin Shkumbinin. Fazën e parë, korçarët do TV luajnë 7 ndeshje brenda dhe 6 jashtë. Short i favorshëm për Flamurtarin, i cili e nis sezonin në Vlorë me Kamzën dhe më pas luan në transfertë ndaj Teutës. Tirana, që ka objektiva të qarta për të fituar titullin “Kampion”, në katër javët e para, tre ndeshje do t’i luajë brenda. Do të udhëtojë për në Krujë javën e dytë e do të presë në kryeqytet Teutën, Pogradecin dhe Flamurtarin. Për një pretendente, shorti është perfekt.

Java e parë

10 shtator
Skënderbeu-Tomorri
Tirana-Teuta
Flamurtari-Kamza
Vllaznia-Laçi
Kastrioti-Pogradeci
Apolonia-Dinamo
Bylis-Shkumbini

© Panorama.al

Te lidhura