Shërbimi Civil, ligj i ri në Parlament

Nov 1, 2011 | 12:09

Qeveria do të propozojë ndryshimin e ligjit për shërbimin civil në vend. Me kërkesë të Departamentit të Administratës Publike, SIGMA (programi mbështetje në përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit), ka hartuar një draft, i cili u është shpërndarë dje deputetëve të Komisionit të Ligjeve. Drafti pritet të diskutohet javën e ardhshme, përpara se të vijë në Parlament, si propozim i qeverisë. Ligji i ri ka 69 nene dhe parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2013. Në pjesën e dispozitave tranzitore të tij thuhet se anëtarët aktualë të Komisionit të Shërbimit Civil do të qëndrojnë në detyrë deri në përfundim të mandatit të tyre dhe më pas anëtarët e rinj do të zgjidhen me ligjin e ri. Nëse ky ligj do të marrë 3/5 e votave të Parlamentit, anëtarët e KSHC-së do të kenë mandat pesëvjeçar, nga 7.5 vjet që e kanë tani dhe nuk do të gëzojnë imunitet, të barasvlershëm me atë të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në të njëjtën kohë, KSHC do të raportojë në Kuvend çdo vit dhe sa herë ai ta kërkojë. Në propozimet e ligjit të ri thuhet se punësimi në shërbimin civil nuk duhet të jetë në bazë të kontratave të përkohshme. “Punësimi në pozicionet e shërbimit civil duhet të jetë i pranueshëm vetëm me individë me statusin e nëpunësit civil, dhe jo në bazë kontraktuale. Në parim, nëpunësit civilë duhet të jenë të punësuar për një periudhë të pacaktuar (përhershëm); punësimi me afat të caktuar duhet të kufizohet në raste të veçanta të jashtëzakonshme, të cilat duhet të përcaktohen në parim në legjislacion”, thuhet në draftin e ekspertëve, që do të diskutohet në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Në të njëjtën kohë, për herë të parë propozohet ngritja e një trupe për shërbimin civil. “Rekrutimi në këtë trupë duhet të bëhet nëpërmjet një konkursi kombëtar, përpara një komisioni kombëtar të përberë nga individë me reputacion që ndërrohen sipas një sistemi rotacioni të alternuar (p.sh. anëtarët rinovohen në mënyrë të pjesshme çdo vit). Përzgjedhja në nivelin e drejtuesve të lartë do të jetë, si rregull, e hapur vetëm për nëpunësit civilë”. Vlerësimi i kandidatëve do të përfshijë një testim me shkrim dhe një intervistë. Testimi me shkrim duhet të këtë më shumë peshë se intervista dhe duhet të vlerësohet duke siguruar anonimitetin. Përsa i përket procedimit disiplinor, theksohet se “fillimi i procedurës disiplinore duhet të jetë një detyrim zyrtar për eproret e drejtpërdrejtë; katalogu i sanksioneve disiplinore duhet të jetë i përmirësuar dhe i zgjeruar në mënyrë që të mundësojë proporcionalitetin midis shkeljes disiplinore dhe sanksioneve përkatëse; vendimi disiplinor duhet të jetë përgjegjësi e një komisioni disiplinor kolegjial, ku DAP është i përfaqësuar”.

Propozimet për ligjin e ri
• Roli i DAP-it si njësia qendrore e politikave dhe menaxhimi në shërbimin civil duhet të forcohet dhe ligji i ri duhet të parashikojë instrumentet e duhura për përmbushjen e këtij roli. Roli mbikëqyrës i DAP duhet gjithashtu të forcohet, edhe pse ky rol duhet të diferencohet qartë nga i KSHC.
• Forcimi dhe rritja e kompetencave të KSHC-së duke i siguruar atij instrumentet e duhura ligjore për vënien në zbatim dhe ekzekutimin e vendimeve të tij. Ngritjen e një sistemi eficient dhe të përshtatshëm të raportimit të vendimeve të menaxhimit që merren nga institucionet.
• Punësimi në pozicionet e shërbimit civil duhet të jetë i pranueshëm vetëm me individë me statusin e nëpunësit civil, dhe jo në bazë kontraktuale. Në parim, nëpunësit civilë duhet të jenë të punësuar për një periudhë të pacaktuar (përhershëm); punësimi me afat të caktuar duhet të kufizohet në raste të veçanta të jashtëzakonshme, të cilat duhet të përcaktohen në parim në legjislacion.
• Rekrutimi në këtë trupë duhet të bëhet nëpërmjet një konkursi kombëtar, përpara një komisioni kombëtar, të përbërë nga individë me reputacion që ndërrohen sipas një sistemi rotacioni të alternuar (p.sh. anëtarët rinovohen në mënyrë të pjesshme çdo vit). Përzgjedhja në nivelin e drejtuesve të lartë do të jetë, si rregull, e hapur vetëm për nëpunësit civilë.
• Vlerësimi i kandidatëve do të përfshijë një testim me shkrim dhe një intervistë. Testimi me shkrim duhet të këtë më shumë peshë se intervista dhe duhet të vlerësohet duke siguruar anonimitetin.
• Nëpunësit civilë të punësuar rishtas duhet të jenë në provë për një periudhë të përshtatshme për të provuar përshtatshmërinë e tyre për shërbimin civil. Megjithatë, kjo duhet të zbatohet vetëm për kandidatët e punësuar për herë të parë në shërbimin civil; nëse një nëpunës civil zgjidhet për një pozicion më të lartë, kalimi në një periudhë prove të re nuk është i nevojshëm.
• Fillimi i procedurës disiplinore duhet të jetë një detyrim zyrtar për eprorët e drejtpërdrejtë; katalogu i sanksioneve disiplinore duhet të jetë i përmirësuar dhe i zgjeruar në mënyrë që të mundësojë proporcionalitetin midis shkeljes disiplinore dhe sanksioneve përkatëse; vendimi disiplinor duhet të jetë përgjegjësi e një komisioni disiplinor kolegjial, ku DAP është i përfaqësuar.

Fino: Ne nuk jemi palë me qeverinë
Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, kundërshtoi dje ftesën e kreut të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, për të marrë pjesë në tryezën për diskutimin e ligjit të ri për shërbimin civil. Fillimisht kreu i Ligjeve, Rusmali njoftoi deputetët për nismën e ekspertëve. “Këta ekspertë dhe ministri i Brendshëm i kërkojnë Komisionit të Ligjeve në qoftë se e sheh të arsyeshme që në një nga data 7-8- ose 9 nëntor të zhvillojë një konsultë me ekspertët e huaj që i vijnë këtij projekti. Këtu është edhe i gjithë materiali, pra drafti dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme për të diskutuar një konsultë. Në qoftë se juve do të jeni dakord unë do t’i sugjeroja ministrisë që ditën e hënë pas mbledhjes së Komisionit, ne të mund të zhvillojmë këtë konsultë pra diku nga ora 10, në datë 7 nëntor”, tha Rusmali. Ndërsa deputeti i PS-së, Fino replikoi duke thënë se “Ky projektligj që bën qeveria, po ne pse na bën palë, se ne do të jemi oponencë kur të vijë ligji këtu? Pse na bën palë para se të vijë nga qeveria? Që të na jepni një draft është më se normale, se ne si komision presim edhe grupet e interesit, do të marrim mendimin e qeverisë. Kjo konsultë, kam përshtypjen se dashur pa dashur na bën palë paraprakisht me një projektligj shumë të rëndësishëm që e kemi bërë dikur bashkërisht dhe se asnjëherë nuk është zbatuar dhe po bëhet një ligj i ri që unë tani po e marr vesh”, tha Fino.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura