Shehu: Tërhiquni nga ligji për barazinë gjinore, mos e fusni vendin në qorrsokak! Nëse doni ta votoni, kalojeni në referendum! Balla: Dezinformim

Nov 4, 2025 | 10:58

Debate të forta janë zhvilluar sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku mes pikave të rendit të ditës ishte edhe diskutimi për ligjin e barazisë gjinore.

tritan shehu

Opozita e kundërshtoi fortë këtë propozim të mazhorancës, duke i bërë thirrje kryetarit Igli hasani dhe anëtarëve socialistë që të tërhiqeshin sepse ligji i propozuar shkatërronte bazën e familjes tradicionale.

Deputeti i PD, Tritan Shehu i kërkoi socialistëve që të tërhiqeshin sa huk ishte vonë, pasi në të kundërt do krijonin kaos, amulli dhe do fusnin vendin në qorrsokak. Ai propozoi që nëse mazhoranca do që ta kalojë këtë ligj, ta kalonte për referendum.

Tritan Shehu tha mes të tjerash:

“Ligji kundër diskriminimit dhe barazinë gjinore nuk duhet të kalojë. Si mund ta sillni këtë ligj këtu. Unë e njoh mirë, bazohet në koncepte të gjinisë biologjike, kjo është çështja dhe këtu duhet të qëndrojmë. Biologjia është e përcaktuar, X apo Y, ndaj unë u kërkoj një gjë, tërhiquni mbrapsht me këtë, sepse po fusni vendin në qorrsokak, po shkaktoni amulli në popull. E kuptoni amullinë që krijoni ju, ndaj tërhiqeni mbrapsht sa s’është vonë. Ky është atentat ndaj vlerave njerëzore. Shumica e vendeve evropiane nuk e kanë këtë ligj, hiqni dorë nga këto direktiva. Nëse ky ligj doni që të miratohet kaloheni me referendum, ju i keni votat, por ky ligj duhet të kalojë në referendum”.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, deputeti Taulant Balla e kundërshtoi kolegun opozitar, duke thënë se p[o dezinformonte dhe se qëllimi i ligjit nuk ishte ndryshimi i gjinisë apo ajo që pretendohej me orientimin seksual, por barazia mes burrave dhe grave në të gjitha fushat e shoqërisë.

Balla shpjegoi se ata nuk ishin tërhequr nga amandamenti, por kishin kërkuar riformulim të tij.

Balla u shpreh se:

“Ky është dezinformim dhe gjithçka që tha parafolësi nuk ka lidhje fare me atë që do diskutohet këtu. Gjithë ky përrua psikik që nuk i referohet ligjit, meqë jemi para kamerave dhe populli na dëgjon, ligji është një arritje e madhe për vendin dhe me të hedhim një hap tjetër para për atë që është bërë deri më sot, që burrat dhe gratë kudo që janë të ndihen të barabartë. Shikoni Kuvendin sot, dikur nuk kishte përfaqësuese gra dhe sot janë një të tretat dhe unë do doja që nga 140 deputetë, 70 të ishin gra në të ardhmen. Bëhet fjalë për barazinë gjinore. Nuk është e vërtetë që jemi tërhequr nga amendamenti, por kërkojmë riformulimin e tyre, me parimet themelore të ligjit. Është edhe një qëllim evropian, i shumë vendeve të BE, sepse një burrë nuk mund të paguhet më shumë nga një grua, apo të imponohet ligjvënësi në sektorin privat mbi pagat, për shkak të diskriminimit dhe barazisë”.

taulant balla

Rendi i ditës te Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme:

  1. Shqyrtimi i Projektligjit “Për barazinë gjinore”;
  2. Shqyrtimi i Projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998,“Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
  3. Seancë dëgjimore për Kre të Misionit Diplomatik me z. Ermal Dredha, kandidat për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, në Konfederatën e Zvicrës, rezident dhe Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtensheinit, jo rezident.

© Panorama.al

Te lidhura