Shehu: SHISH i Shaqirit, i ndikuar politikisht

Aug 22, 2012 | 11:15
Tritan Shehu

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaroi dje se institucioni i Shërbimit Informativ Shtetëror, në drejtimin e Brahri Shaqirit ka çaluar, për shkak të përfshirjes në çështje politike. Shehu, në një intervistë për “News 24”, deklaroi se ndryshimet në Shërbimin Informativ Shtetëror nuk do të ndikojnë negativisht. Sa i përket rolit të këtij institucioni, ai tha se në shumë episode ka qenë i ndikuar politikisht. “Ai institucion (SHISH) në punën e tij, krahas zhvillimeve politike që ka pasur dhe ka realizuar në këtë periudhë, në zhvillimet e vendit tonë, në disa elemente ka çaluar dhe ka pasur interferenca jo pozitive që duhet të kishin me atë institucion në punën e tij. Gjë që ka bërë që puna e tij, në momente të caktuara, të jetë jo fort e qartë dhe produktive”, u shpreh Shehu. Duke komentuar pritjen e rifillimit të negociatave me Greqinë për paktin detar, Shehu argumenton se ato janë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe se akuzat e opozitës për shitje të territorit i vlerëson si shpifje. “Të keshë marrëveshje me fqinjët, të zgjidhësh problemet nëpërmjet marrëveshjeve, dialogut, negocimit, është pa dyshim pjekuri, zhvillim demokratik. Kryetari i Partisë Socialiste kërkon nëpërmjet spekulimeve jo vetëm të hedhë baltë mbi PD-në, mbi qeverinë, mbi maxhorancën, por kërkon të krijojë konflikte artificiale të Shqipërisë me të tjerët, gjë që nuk i intereson dhe nuk është në përputhje me interesat e Shqipërisë”, theksoi deputeti i PD-së.

© Panorama.al

Te lidhura