SHBA për Topin, Berishën e Ramën

Sep 3, 2011 | 10:51

Se çfarë mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për liderët kryesorë në Shqipëri, janë publikuar në një nga kabllogramet që WikiLeaks ka hedhur në faqen e tij zyrtare.Zv.asistenti i parë i sekretarit të Shtetit, Stjuart Xhons, kishte programuar një vizitë në muajin tetor në vendin tonë dhe pak ditë përpara se ai të udhëtonte drejt Tiranës, ka marrë një informacion të detajuar nga ambasadori amerikan në Shqipëri, Withers. Kabllogrami mban datën 24 tetor 2008, kur politika ziente nga akuzat e maxhorancës për organet e Drejtësisë dhe debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Informacioni i ambasadorit Withers për shefin e tij rekomandon edhe se cili duhet të jetë qëndrimi i Uashingtonit për debatin në vend. “Gjatë takimeve tuaja dypalëshe ju do të keni mundësinë të jepni një mesazh drejtpërdrejt nga Uashingtoni se përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të intimiduar prokurorët, kontrollin e Gjyqësorit dhe për të marrë nën kontroll shërbimet sekrete të vendit dhe median e lirë, janë të papranueshme”, thuhet në kabllogram. Më pas, ish-ambasadori amerikan përshkruan tre politikanët më të rëndësishëm në vend: Kryeministrin Berisha, kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Presidentin Bamir Topi.
Për Berishën
“Edhe pse shumë nga njerëz nga partia e Berishës e shohin atë si një politikan me pengesa, ai mbetet vendosmërisht në kontrollin e PD-së dhe qeverisë. Një punëtor i fortë dhe mikromenaxher, asnjë vendim i rëndësishëm brenda qeverisë nuk merret pa miratimin e tij. Ne kemi çdo arsye për të besuar se përpjekjet e fundit për të marrë dosje nga zyra e prokurorit të Përgjithshëm dhe kërcënimet e prokurorëve me arrestime janë aprovuar nga vetë Berisha”, thuhet në kabllogram. Sipas ambasadorit Withers, “Berisha e ka të nevojshme të dëgjojë nga ju në termat më të drejtpërdrejtë se përpjekjet e tij të vazhdueshme për të minuar institucionet e pavarura janë të papranueshme dhe se ne nuk do të qëndrojmë mënjanë duke e lejuar atë të dëmtojë demokracinë e lëkundshme dhe ende delikate të Shqipërisë”.
Për Ramën
Lidhur me takimin me kreun e PS-së, Edi Rama, ish-kryediplomati amerikan në Tiranë e informon z. Stjuart se po bisedon me njeriun që mund të bëhet Kryeministër. “Takimi juaj me kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, do t’ju japë një mundësi të takoni njeriun i cili mund të bëhet Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Gjatë dy viteve të fundit Rama ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e partisë dhe të tijin personal në të gjithë vendin, me shpresën se mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithatë, shumë, brenda vetë partisë së Ramës, po bëhen gjithnjë e më të paduruar me përballjen e tij agresive për Gërdecin me Berishën. Ju duhet të theksoni me Ramën rëndësinë absolute për miratimin e shpejtë të Kodit Elektoral, në mënyrë që Shqipëria të evitojë parregullsitë e minutës së fundit, që kanë dëmtuar zgjedhjet e mëparshme, si dhe rolin e tij për të siguruar zgjedhje të mira parlamentare vitin e ardhshëm”.
Për Topin
Në këndvështrimin e ambasadorit Withers, por edhe të njerëzve brenda PD-së, Presidenti Bamir Topi shihet si personi i vetëm që mund të zëvendësojë Kryeministrin Berisha në këtë parti. “Edhe pse anëtar i PD-së së Berishës dhe i emëruar për postin e Presidentit, mospëlqimi i Topit për Berishën është i dukshëm. Të dy mbeten rivalë të vendosur politikë dhe i kanë ‘përplasur kokat’ vazhdimisht kohët e fundit. Topi është mbrojtësi kryesor politik i prokurores së Përgjithshme dhe ai ka punuar për të mbrojtur pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme kundër sulmeve të Berishës. Megjithëse shumë brenda PD-së dhe nga opozita e shohin Topin si personi i vetëm brenda PD-së me peshë dhe prezencë unifikuese për të zëvendësuar Berishën si kreu i partisë, mbështetësit e Topit brenda partisë janë relativisht të dobët dhe të çorganizuar”.
Për Oketën
Ajo që bie në sy është kabllogrami i 21 marsit 2008, pak pasi Gazmend Oketa mori detyrën e ministrit të Mbrojtjes, në vend të Fatmir Mediut. “Kryeministri Berisha ka emëruar zëvendëskryeministrin Gazmend Oketa për të zëvendësuar Fatmir Mediun si ministër i Mbrojtjes. Presidenti Topi i tha ambasadorit më 21 mars, se Oketa ishte një zgjedhje e mirë; Topi planifikonte ta miratonte emërimin. Ambasada ka punuar ngushtë me Oketën, ndër të tjera në Programin e Pragut të MÇ-së. Kur programi u përplas me probleme, Oketa nuk krijoi vonesa, nënshkroi urdhrat e nevojshme dhe bëri një punë të mirë. Ne e shohim atë të përkushtuar, të vendosur dhe efektiv, pa njolla korrupsioni, për të cilat ne jemi të vetëdijshëm – një ‘Anti-Mediu’”, thuhet në kabllogram.

Mustafaj nuk i lëshoi ujgurët, por premtoi tjetër “dhuratë” për Kinën

Ambasadorja Marcie Ries u takua me ministrin e Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, pasditen e 8 majit 2006, pas takimit të Mustafajt me ambasadorin kinez, Tian Changchun dhe transmetimin e një deklarate nga Tian në televizionin “News 24”. Mustafaj tha se Tian ishte “shumë i ashpër” në atë takim. Sipas Mustafajt, Tian fillimisht e kishte sharë atë përse nuk e kishte informuar Kinën për ujgurët, duke theksuar se SHBA e kishin informuar plotësisht qeverinë kineze pas mbërritjes së tyre në Shqipëri. Tian theksoi se kinezët ishin në dijeni të “marrëveshjes së fshehtë” mes Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe SHBA-ve. (Ne mendojmë se Tian i referohej deklaratës së shkruar të Ministrisë së Brendshme, ku premtonte se ujgurët nuk do të ktheheshin pas kundër vullnetit të tyre). Mustafaj u përgjigj se Shqipëria në çdo rast do të vepronte në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare. Sipas Mustafajt, Tian tha se ujgurët ishin terroristë dhe se fakti që qeveria shqiptare i pranoi ata, do të ndikonte marrëdhëniet me Kinën. Mustafaj tha se ai e ka refuzuar këtë argument, duke e quajtur këtë një çështje mes Kinës dhe SHBA-ve, jo mes Kinës dhe Shqipërisë. Ai tha se ujgurët ishin mbajtur në gjirin e Guantanamos, por nuk kishin informacion mbi detajet e rrethanave. Mustafaj shtoi se përsa i përket aplikimit për azil të ujgurëve, autoritetet shqiptare do të vepronin në përputhje me ligjet shqiptare dhe do të informonin qeverinë kineze mbi rezultatin. Kur Tian ka argumentuar se lëvizja e “Turkistanit Lindor” ka si synim të ndajë Kinën, Mustafaj ka theksuar se ujgurët ishin pranuar në Shqipëri mbi baza individuale, jo si një organizatë apo lëvizje, duke shtuar se qeveria shqiptare njihte integritetin territorial të Kinës dhe nuk kishte dijeni për kërkesën e ujgurëve për ndarje territoriale të Kinës. Tian shprehu shpresën se Shqipëria do t’i kthente ujgurët në Kinë; mbase kjo mund të ishte një “dhuratë” e qeverisë shqiptare për Kinën. Mustafaj replikoi se shpresonte që t’i jepte Kinës një dhuratë më të vlefshme se “terroristët”.

SHBA pas zgjedhjes së Ina Ramës

Ambasadori amerikan, John Withers, ka vlerësuar në një kabllogram për Departamentin Amerikan të Shtetit përzgjedhjen e Ina Ramës në rolin e prokurores së Përgjithshme. Sipas Ëithers, “Ina Rama ka mundësi të përballet me tri pengesa në mëdha muajt e ardhshëm. Së pari, ajo ka qenë një gjykatëse e Gjykatës së Faktit dhe të Apelit, dhe nuk ka asnjë eksperiencë të drejtpërdrejtë prokurorie. Së dyti, Gjykata Kushtetuese po konsideron aktualisht ankesën e paraardhësit të saj, ish-prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, se Presidenti Topi ka vepruar ilegalisht për largimin e tij nga detyra. Nëse Gjykata vendos në favor të Sollakut, statusi i Ramës do të jetë shumë i paqartë. Dhe në fund, pavarësia politike e Ramës vjen në mënyrë paradoksale me dobësinë se ajo nuk ka mbrojtës politik. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë qeverinë amerikane, duhet të jetë veçanërisht i vëmendshëm ndaj çdo përpjekjeje për kompromis mbi paanësinë dhe pavarësinë e saj”.

Withers vlerëson kthesën në PS

Pas një takimi me kreun e PS-së, Edi Rama, më 21 dhjetor 2007, ambasadori amerikan vlerësoi kthesën e PS-së. Rama sqaroi se PS nuk ishte pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Komentet e Ramës shënojnë një kthesë të madhe në qëndrimin e PS-së. Pak ditë më parë, kreu i PS-së po fliste me tone të ashpra dhe kërcënuese me partitë e shumicës mbi propozimet për reforma. Dy faktorë kryesorë mund të kenë ndikuar në ndryshim. Së pari, Rama ka ardhur nën presionin e vlerësimit brenda PS-së. Një konsorcium i kryetarëve të komunave nga PS në disa prej qyteteve të mëdha të vendit ka kërkuar bashkëpunimin me Berishën. E, për më tepër, Rama është mjaft i ndërgjegjshëm se, me një çështje aq e rëndësishme sa NATO-ja”

Kabllogramet

Portali WikiLeaks u zhbllokua dje pas një sulmi që pati nga piratët e internetit. Jo vetëm kaq, por ky portal interneti hodhi edhe materiale shtesë në faqe, duke mos përjashtuar Shqipërinë. Dokumente të Ambasadës Amerikane në Tiranë u hodhën me shumicë, madje edhe 200 dokumente të tjera, shumica e të cilave cilësoheshin si sekret dhe konfidenciale. Në to flitet gjerësisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe flitet pa dorashka diplomatike, duke trajtuar çdo problem në Shqipëri, pa përjashtim. Gjithsesi, ende nuk bëhet e ditur nëse WikiLeaks do të hedhë materiale të tjera.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura