SHBA kujton 10 vjet nga sulmi që tronditi botën

Sep 12, 2011 | 12:14
Xhorxh dhe Laura Bush me Barak dhe Mishel Obama, gjatë ceremonisë

Për herë të parë në Ground Zero u mblodhën së bashku Presidenti  Barak Obama, ish-presidentët Bill Klinton dhe Xhorxh W. Bush.Është dhjetëvjetori i rrëzimit të Kullave Binjake nga sulmet terroriste, pas së cilave humbën jetën rreth 3 mijë njerëz. Mijëra persona morën pjesë në ceremoninë që zgjati disa orë. Çdo gjë ishte e kontrolluar nga shërbimet sekrete amerikane. Nju Jorku ishte i blinduar. Jo më larg se një ditë më parë, kreu i CIA-s, Leon Paneta, tha se ekziston rreziku real i sulmeve të reja terroriste për përkujtimoren e dhjetëvjetorit të tragjedisë. Po kështu, ka konfirmuar edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton. Tri minuta heshtje janë mbajtur për të kujtuar përplasjet e avionëve te Kullat Binjake në Nju Jork. Ceremoni të tjera u kryen në Pensilvani dhe Pentagon, vende të prekura nga e njëjta tragjedi dhjetë vjet më parë. Presidenti Obama shkoi edhe në këto vende për të takuar familjarët e viktimave. Në Nju Jork, pas minutave të heshtjes, Paul Simon ka kënduar “Sound of Silence” (Tingulli i heshtjes). Obama dhe Bush kanë shkëmbyer më pas disa fjalë e përqafime me të ftuarit në ceremoni, mes të cilëve prindër e familjarë të 3 mijë viktimave. Atmosfera ishte shumë e ndjerë. Ceremonia nisi në orën 8:46 (me orën lokale), kur avioni i parë u përplas në Kullën e Veriut. Fjalimi i parë u mbajt nga kryebashkiaku i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg. “Heshtja na ka ndihmuar të reflektojmë” tha ai. Ai kërkoi edhe një minutë heshtje për të gjitha viktimat e ditës. Më pas foli Presidenti Obama. “Nuk do të kemi frikë”, ishte psalmi 46 i Biblës, që Presidenti vendosi të lexojë. Më pas, familjarët lexuan emrat e të dashurve të tyre që humbën jetën më 11 shtatorin e vitit 2001. Emra, mbiemra dhe dedikime: “Na mungoni”, “Ju duam përgjithmonë”.. etj. Kur fëmijët kanë lexuar emrat e familjarëve të tyre, janë prekur jo vetëm turma, por edhe ata burra që kanë drejtuar e drejtojnë superfuqinë e botës. Xhorxh W. Bush, lexoi një letër që Linkoln ua kishte shkruar nënave të ushtarëve që humbën jetën gjatë luftës civile: “Amerika nuk do të shkatërrohet kurrë nga jashtë. Nëse humbim liritë tona, do të ndodhë sepse do të kemi shkatërruar veten”. Ndërsa bashkiaku Blumberg citon një frazë të Makbethit të William Shakespeare: “Shkaku i dhimbjes suaj nuk duhet të matet nga vlera e tij, sepse atëherë do të ishte fundi”. Pothuajse njëkohësisht një ceremoni u mbajt edhe në Washington, afër Pentagonit, ku ishte i pranishëm zëvendëspresidenti Xho Bajden. Ndërsa në mbrëmje u organizua një koncert ku mori pjesë edhe Obama. Ndërkohë, u kujtuan edhe 40 pasagjerët e vdekur gjatë fluturimit “United Airlines 93”, avioni i katërt i përdorur gjatë atentateve. Familjarët ishin mbledhur afër memorialit në Shanksville, Pensilvani. Në mbrëmje në Ground Zero u ngritën sërish Kullat Binjake, në projeksione dritash.

Teori konspirative

Për 11 shtatorin janë hedhur shumë teori konspirative. Një prej tyre është se pse forca më e madhe ajrore e botës nuk arriti të rrëzonte njërin prej katër aeroplanëve të rrëmbyer nga terroristët në ditën e 11 shtatorit. Një tjetër teori flet për rrëzimin e çuditshëm të Kullave Binjake, nga zjarret që zgjatën vetëm në katet e sipërme të kullave për më pak se dy orë. Thuhet se para shembjes së Kullave Binjake ishin dëgjuar shpërthime në disa kate dhe shumë dritare ishin thyer para se ato të rrëzoheshin.

1 shtatori, homazhe në të gjithë botën

Dhjetëvjetori i 11 shtatorit është përkujtuar në mbarë botën. Ndërsa në shumë vende pati letra, mesazhe e telefonata mes diplomatëve për t’u solidarizuar me këtë ditë, ka pasur edhe ceremoni e tubime të mbajtura në sheshet e disa prej kryeqyteteve më të mëdha të botës. Ceremoni përkujtimore u mbajtën në Spanjë, ku anëtarët e familjes mbretërore mbollën vetë me lopata dhjetë pemë amerikane, si shenjë për dhjetë vitet e kaluara që pas sulmeve terroriste. Në Rusi janë ndezur qirinj. Në Paris u ndërtuan anash Kullës Eifel dy platforma me strukturë të ngjashme si ajo, që personifikonin dy Kullat Binjake të rrëzuara gjatë sulmeve të 11 shtatorit. Një meshë përkujtimore u mbajt edhe në Manila, pasi një shtetase filipinase u vra gjatë sulmeve të 11 shtatorit. Një lutje masive u organizua edhe në Mijagi, Japoni.  Një memorial u organizua në Sidnej, Australi. Edhe në Berlin u mbajt një minutë heshtje për nder të viktimave të 11 shtatorit. Pati edhe nga ata që protestuan në këtë ditë. Në Londër, përveç ceremonive përkujtimore, një grup islamikësh kanë djegur flamurin amerikan.

Masa sigurie

Forcat e sigurisë kanë shtuar masat si pasojë e frikës së sulmeve të mundshme terroriste në 10-vjetorin e tragjedisë së 11 shtatorit. Masa sigurie shtesë janë mbajtur në pikat e kontrollit të makinave në Nju Jork, kontrollin e çantave në metro dhe ekipet me qenë specialë. Vëmendje e veçantë u ishte kushtuar tuneleve, urave, monumenteve, ndërtesave qeveritare dhe objekteve të kultit.

Në kërkim tre persona janë shpallur në kërkim në Washington e Nju Jork, të cilët dyshoheshin si pjesëtarë të një celule të “Al Kaedës”, e gatshme të realizojë një tjetër atentat të bujshëm. Në përvjetorin e 11 shtatorit, një kamion-bombë shpërtheu dje pranë një baze ushtarake në Afganistan, ku u plagosën 80 ushtarë amerikanë.

“Bin Laden mori përgjigjen që meritonte”
Kryeministri Berisha u dërgoi një mesazh qytetarëve të SHBA-së, ku shprehet se 10 vjet pas tragjedisë së 11 shtatorit organizatorët e sulmit terrorist kanë marrë ndëshkimin e merituar. “Sot, pas 10 vjetësh, familjet e atyre që humbën jetën nga ky sulm, qytetarët e SHBA, miqtë e tyre në mbarë botën, kujtojnë këtë datë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të 11 shtatorit, pasi ideatorët, sponsorët, mbështetësit, organizatorët e tyre, Sudanët e Bin Ladenët dhe të tjerë të ngjashëm me ta, kanë marrë ndëshkimin më të merituar”, thekson Kryeministri. Berisha thekson se Shqipëria dhe shqiptarët u janë mirënjohës qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë.

“Ne, në krah të SHBA kundër terrorizmit”
Kreu i shtetit, Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh Presidentit Barack Obama me rastin e 10-vjetorit të sulmeve në Nju Jork. “Është detyrë e gjithë popujve dhe qeverive të mbarë botës të bashkohen në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, si armik i paqes dhe i sigurisë globale. Populli shqiptar ka qenë dhe do të mbetet edhe në të ardhmen përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështjellës më të madhe të demokracisë dhe të paqes sot në botë”, thekson Topi. Sipas tij “në çdo moment historik për kombin shqiptar ne kemi pasur përkrah mbështetjen e fuqishme të popullit dhe të qeverisë amerikane. Në këto momente të përkujtimit të mijëra viktimave të pafajshme, ne u shprehim edhe një herë solidaritetin më të madh të gjithë familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit amerikan”.

“SHBA sot ka më shumë miq se më parë”
Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, i ka dërguar një letër homologut të tij në Nju Jork, Michael Bloomberg, në të cilën thekson se “Sot, 10 vjet pas 11 shtatorit, jam i bindur se Ju, qytetarët e New York dhe populli amerikan jeni më të fortë dhe keni më shumë miq se më parë. Në emër të qytetarëve të Tiranës, bashkohem me ju në përkujtimin e nderimin e viktimave të 11 shtatorit dhe në shprehjen e solidaritetit me familjarët e tyre”. Sipas tij “njëkohësisht shpreh bindjen se ky 10-vjetor e gjen qytetin tuaj të mrekullueshëm dhe qytetarët e New York më të vendosur se kurrë në afirmimin e vlerave, që qëndrojnë në themelet e qytetit tuaj, vlera që përbëjnë një frymëzim të kahershëm dhe konstant për Tiranën dhe qytetarët e saj”.

© Panorama.al

Te lidhura