
Dy rivalët kryesorë për garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë Mit Romnei dhe Rik Santorum. Gara për të zgjedhur kandidatin e ardhshëm republikan për të konkurruar kundër kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë, Barak Obama, kishte nisur që në vitin 2010, por dje, pas votimeve të para partiake, dy emrat e mësipërm rezultuan më të parapëlqyerit. Numërimi i të gjitha votave të mbështetësve republikanë në shtetin e Iouas, e ka detyruar kandidaten Mishel Baçman të tërhiqet nga gara, pasi ajo u rendit e pesta në listën e të preferuarve. Përpara saj ishin Ron Paul dhe Neut Gingriç. Edhe Rik Perri, guvernatori i Teksasit, është tërhequr nga gara për shkak të rezultateve zhgënjyese. Kandidati republikan që do të përballet me Obamën zgjidhet në Konventën Kombëtare të republikanëve në muajin gusht, kur të bëhet emërimi zyrtar i tij.











