Kryeministri i Pedro Sánchez e ka cilësuar përshkallëzimin në Lindjen e Mesme dhe luftën e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit si “një gabim shumë të madh”.
“Kjo luftë në Iran është, sipas mendimit tim dhe sipas qëndrimit të Spanjës, një gabim shumë i madh”, deklaroi Sánchez, i cili në mënyrë të përsëritur e ka cilësuar ndërhyrjen e SHBA-së si “të paligjshme”, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij portugez.
Duke iu referuar vendimit të Madrid për të dërguar një fregatë në një mision mbrojtës në Qipro, kryeministri spanjoll deklaroi: “Me të njëjtën vendosmëri me të cilën themi ‘Jo luftës në Iran’, jemi solidarë dhe do të ndihmojmë një vend të Bashkimit Evropian që është viktimë e kësaj lufte”.
“Mes vendeve aleate është e drejtë që të ndihmohet kur ka arsye për këtë, por edhe të theksohet kur bëhet një gabim. Dhe kjo luftë në Iran është një gabim shumë i madh për të cilin do të paguajmë”, tha ai.
Sipas Sánchez, bashkëpunimi i sinqertë duhet të mbizotërojë ndaj përballjes në marrëdhëniet mes Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara. Kryeministri spanjoll është përballur me kritika të forta nga Uashingtoni për qëndrimin e tij ndaj luftës amerikano-izraelite.
Marrëdhëniet dypalëshe, sipas tij, duhet të udhëhiqen nga “respekti dhe fryma e bashkëpunimit të sinqertë” dhe të bazohen në “barazi”, brenda një kuadri të atlantizmit ku “e drejta ndërkombëtare dhe rregullat janë shtylla kryesore dhe ku mbizotëron bashkëpunimi, jo rivaliteti”.
Këto deklarata ai i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin portugez Luís Montenegro.
I pyetur nga gazetarët për kritikat e ashpra të Donald Trump ndaj politikës së tij, Pedro Sánchez u përpoq të ulë tonet: “Kam një respekt të pakufishëm për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe një admirim shumë të madh për shoqërinë amerikane”.
Nga ana e tij, kryeministri i Portugalisë theksoi se “kërcënimet dhe akuzat nuk janë rruga e duhur për marrëdhëniet mes aleatëve”, duke shtuar se Uashingtoni mbetet një “aleat i pazëvendësueshëm” për Lisbonën.
© Panorama.al












