
TIRANE- Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka nisur me debate për një nga pikat e cila u propozua në fillim që të futej në rendin e ditës.
Bëhet fjalë për një kërkesë të 20 këshilltarëve të cilët kanë firmosur shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj.
Kreu i grupit të këshilltarëve socialiste, Aldrin Dalipi kërkoi nga këshilltarët e maxhorancës që të jepeshin arsyet e këtij shkarkimi.
“Gjonaj ka qenë funksionar politik, apo gjatë viteve të punës së tij ka paraqitur shqetësim që sot na bien në këtë përfundim?”- iu drejtua Dalipi këshilltarëve të maxhorancës.
Përfaqësuesi i LSI-së, në Këshillin Bashkiak, Shezai Rrokaj u shpreh se; “Kërkesa është ligjore, 1/3 e këshilltarëve ka vullnetin për ta kërkuar shkarkimin. Sa për arsyet ato mund të thuhen gjatë diskutimeve, nëse do të ketë të tilla. Futeni në rendin e ditës dhe ua themi arsyet.”- tha ai.
Ferdinand Poni u shpreh se nuk mund t’i mohohet e drejta këshilltarëve për shkarkimin. Duke iu përgjigjur Dalipit, Poni tha se nuk ka asnjë një urgjencë për shkarkimin, por thjesht kërkesa e 20 këshilltarëve, është urgjenca e vetme.
“Emergjenca është kjo, sepse 1/3 ka vendosur ta shkarkojë. Le të zbatojmë ligjin dhe të lejojmë kryetarin që të propozojë tjetrin.”- tha Poni.
Pas diskutimeve, me 28 vota pro dy pikat e propozuara u futën në rendin e ditës si pika 6 dhe 7-të. Pika e dyte qe u propozua te hynte ne rendin e dites parashikon dhenien e titullit “Qytetarë Nderi” per ish ministrin e Jashtem italian, Franko Fratini.
Pas kësaj këshilltarët socialiste braktisën mbledhjen.
© Panorama.al











