Sfidat e jetës dhe kritika nga “dritarja e shtëpisë”

Dec 30, 2025 | 8:30

gezim tushiGËZIM TUSHI

Duke parë ankesat, kritikat, kundërshtitë dhe papajtueshmëritë që evidentohen në jetën tonë të përditshme, pa frikë mund të themi se kurrë më parë nuk ka patur ndonjëherë një situatë sociale më kaotike, individualisht të turbullt, herë anemike, dhe herë të zjarrtë lidhur me nivelin e paqartë, subjektiv të kritikës sociale dhe individuale, ndaj realitetit tonë social dhe fateve individuale, sa në kohën e tanishme.

Një situatë e cila sociologjikisht është komplekse, me shumë faktorë socialë e individualë të “aliazhuar”, në të cilën vështirë të dallohen ato faktorë që e diktojnë këtë nivel të acaruar të “kriticizmit” social dhe individual. Sepse shpesh gjëndja është e tillë që nuk është gjithmonë objective ndarja e shkaqeve dhe faktorëve që janë me natyrë sociale e objektive, nga ato faktorë që shfaqen si mangësi e anomali subjektive të lidhura me natyrën, strukturën dhe personalitetin e “individit kriticist”.

Sepse duke analizuar këtë situatë duket në mënyrë evdiente se një pjesë prej këtyre “kritikave” më shumë se janë objective (dhe të tilla ka boll), janë refleksion I faktit që shumë njerëz akoma nuk po mësohen të përshtaten me këtë ekuacion social të përmbysur, lidhur me raportet dhe përgjegjësitë sociale, të personalizuara, të situatës dhe “fatit” të njeriut si individ i përgjegjshëm për jetën e tij, dhe korrelacionit të natyrshëm me shtetin dhe shoqërinë si strukturë sociale. Raporte e marrëdhënie të cilat për arsye objective, gjithnjë e më pak po shfaqen solide e solidare.

Nuk është vështirë të dallosh faktin, që sot përballemi me situatë paradoksale, e shoqëruar nga një kategori njerëzish që akoma jetojnë të izoluar nga “vetja” dhe shoqëria, që kanë pritmëri të pamundura, dëshira të deformuara, nga që nuk kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë të vërtetën, se shoqëria tashmë jetojmë të detyruar në një shoqëri me masshtab të kufizuar social, tendencë e cila po vjen duke u reduktuar. Një realitet që vërteton se koha që jetojmë ka tendencë të zhvillohet jo duke zgjeruar konturet e dikurshme të shoqërisë sociale, por duke mbingarkuar individin me përgjegjësi gjithnjë e më të personalizuara. Jetojmë në kohë të reja, në një shoqëri me dimension social të reduktuar. Në këto kushte tani nuk ka më lidhje të forta shoqërore, por ka njerëz që vërtetë jetojnë në shoqëri, duke luajtur në jetën shoqërore me rregulla të reja sociale, jo me dëshira utopike por me përgjëgjësinë personale për të përballuar ato sfida e role jetësore, që determinojnë sjelljen dhe relacionet e tyre si individë, si prindër, punonjës, nëpunës, konsumatorë, votues, fqinj, etj.

Në këtë kontekst, nuk është normale që të mbrojmë njerëzit, që nga që jetojnë në botën iluzore apo qoftë edhe virtuale, e kanë të pamundur që të bëhen të aftë, kompatibël me jetën, që të dallojnë “brenda vetes” dëshirat e tyre, që nuk duhet të formatohen si “utopi sociale”. Këta njerëz duke I parë nga jashtë dhe në pozitë passive e justifikuese për statusin e tyre, mund të duken madje edhe mund të jenë në thelbin e tyre njerëz të mirë, por janë utopikë, të papërshtatshëm për kohën.

Kjo psikologji bën që pasivisht, të kemi jo pak njerëz ankimtarë për pozitën e tyre sociale, që vegjetojnë duke bërë kritika për shtetin apo shoqërinë nga “dritarja e shtëpisë”, që qëndrojnë në pritje dhe të bëhen “viktimë” e vetes. Një status social kritik, që krijohet nga diferencat që ka shoqëria moderne në raportin midis “premtimeve sociale” dhe “vështirësive individuale”, nën efektin e reformave reale dhe përballjen me kërkesat standarte të ekonomisë së tregut.

Ka një paradoks, në dukje human, që shfaqet i kristalizuar tek ata që bëjnë kritika nga “dritarja e shtëpisë”, si justifikim për shkaqet e gjëndjes së tyre, duke e mbajtur veten të “karfosur” midis dëshirave subjektive e iluzioneve të ëmbla, tipike për statusin e njeriut utopik. Të cilët mbyllin sytë përballë të vërtetave, kostove të reformave të ashpra të jetës. Për fat të keq, shpesh iluzioni bashkohet me një ambalazh moral, që ngushëllon ata njerëz që e quajnë veten të mirë edhe pse nga pikëpamja sociale janë të dështuar. Pikërisht për shkak të konfliktualitetit që ka natyra e shoqërisë me natyrën e tij, nga që të qënët “utopist” në kohën tonë është jo vetëm dobësi sociale, por së pari është difekt individual, që është vështirë të thuhet se është e metë e “njeriut të mirë” apo “njeriut utopist”, të paaftë dhe të paorientuar me kërkesat e shoqërisë.

Është një situatë sociale e cila po i zgjeron kufijtë e iluzionit, kornizat e utopizmit social në individë të caktuar, që mbi këtë bazë enden në shoqëri në mënyrë kaotike, pa orientim të qartë, duke vazhduar pandërprerë ankesat subjektive për shkaqet e situatës personale, duke bërë kritika të “rrepta” për shkaktarët e jashtëm, sikurse janë përgjegjësitë e shtetit dhe anomalitë sociale të shoqërisë. Padyshim në këtë paqartësi konceptuale, për përgjegjësitë e jetës individuale ka shumë shkaqe e arsye. Disa janë historike, të trashëguara nga e kaluara e shumica, padyshim janë subjektive dhe të meta të sistemit të edukimit. Akoma më e madhe bëhet pesha e përgjegjësisë sociale për këtë situatë, po të vlerësojmë faktin se në jo pak raste në familje, shkollë, kudo që edukojmë njerëzit tanë nuk është normale, as e ndershme që t’i mësojmë në mënyrë të deformuar, t’i përgatisim si “qënie të squllura”, që jetojnë në botë eterike dhe ushqehen me iluzione sociale utopike.

Në vend të tyre koha moderne ka sjellë në shoqërinë shqiptare mesazhe të qarta, se ajo nuk është fort e përshtatshme as për “njerëzit utopistë” as për njerëzit e “mbushur me ideale” personale, që janë ose pa rezonancë sociale, që nuk kanë vullnet jete, sens praktik për t’i realizuar objektivat e tyre. Në këtë rast, jo vetëm idetë e tyre janë utopike dhe jashtë realitetit, por ata edhe në jetën praktike nuk kanë “aftësitë teknike” të përshtatjes, nga që janë të pazotë për të konkuruar dhe qënë individualisht të suksesshëm.

Shoqëria shqiptare e kohës moderne nuk ka aq shumë nevojë për njerëz që mendojnë se mund të jetojnë duke “tjerrur ide utopike”, apo duke teorizuar për gjëra që janë jashtë realitetit, që nuk i hyjnë në punë askujt. Nuk kanë asnjë vlerë, nuk janë utilitare për njeriun pa vullnet, kritikat e realitetit nga “dritarja e shtëpisë”. Përkundrazi, e kundërta është e vërtetë, sepse tani është kohë e suksesit individual, adoptimit të personalizuar me kërkesat e jetës, është kohë e zgjerimit të përshpejtuar të aftësisë teknike dhe profesionale, e shtimit të vullnetit të hekurt, si parakushte që e bëjnë njeriun individualisht të suksesshëm dhe të përshtatshëm për këtë shoqëri dhe tregun e saj të punës. Unë nuk di që në këtë kohë postmoderrne të ketë rrugë të ndërmjetme në luftën për jetën, sepse koha është e tillë në të cilën njeriu nuk mund të jetë sot as “idealist” as “utopist”, por i aftë të orientohet në mënyrë individuale, në përputhje me rregullat sociale.

Duhet të jesh miop të mos shikosh se një nga patologjitë që bie në sy, që është disi shqetësues për shoqërinë dhe njerëzit tanë, është e lidhur me fillimin e procesit të rënimit të formave tradicionale të organizimeve sociale, mënyrës së formatimit të bashkësive sociale nga faktorë e, forca sociale determinante e të cilëve sot është duke u dobësuar ndjeshëm. Në kohën postmoderne sipas sociologëve, është e natyrshme përballja me faktin, që jeta personale e qytetarit përjeton në mënyrë të pashmangshme një proces të fortë “çinstitucionalizimi”, si pasojë e shkallës së lartë të organizimit burokratik të shoqërisë dhe ndikimit të fortë të “shoqërisë së masave”. Nga ana tjetër, sipas tyre sfera e jetës publike është “mbi institucionalizuar” nga sistemet e qëndrueshme të referimit social. Në këto kushte, tek qytetari i kohës sonë “vërehet një kthim kah subjektiviteti njerëzor si dhe kuptimi dhe qëndrueshmëria kërkohen brenda vetes”. A Giddens, “Pasojat e modernitetit”, f 116

Koha e reformimit të sistemit politik social dhe ekonomik ne shqiptarëve gradualisht por në mënyrë të sigurt, na mëson dhe përshtat me paradigmën e shoqërisë moderne, sipas së cilës njerëzit nuk mund të shihen më si masë sociale e “njerëzve të ngjajshëm”, si turmë morale e njerëzve që mendojnë njësoj. Përkundrazi koha individualiste e ka vënë njeriun përballë detyrimit, që në vend të konceptit të vjetër të “masës njerëzore” të “individëve serikë”, të ngjajshëm, t’i shikojmë dhe vlerësojmë ashtu sikrse janë në të vërtetë “. Kjo është shoqëria moderne. Normalisht edhe njerëzit janë “ata që janë” dhe nuk duhet të presim në mënyrë utopike që të bëhen “ata që duam të jenë”.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura