Seria A: Milan, poker për Antonio Kasanon

Nov 7, 2011 | 12:25

Ibrahimoviç dhe Robinjo, gola me dedikim, shënon edhe Zambrota. Milani shpartallon Katanian e Montelës në “San Siro” me rezultatin 4-0, ku protagonist ka qenë Robinjo. Braziliani në fillim ka fituar një penallti, më pas ka shënuar me anë të një aksioni personal.
Trajneri ia beson sulmin dyshes Ibra-Robinjo, ndërsa pas tyre është Emanuelson. “Do kthehesh më i fortë se kurrë”, “Të presim me krah hapur 99-ësh”. Lexohet në pankartat e tifozëve të Milanit. Ndoshta ka qenë mungesa e Kasanos që motivon Milanin ta nisë që në fillim me fuqishëm takimin. Sicilianët gjatë minutave të para lënë të kuptohet se i meritojnë plotësisht ato 14 pikë në tabelën e klasifikimit, duke luajtur ndaj kuqezinjve me ballin lart. Por kualitetet te Milani dhe dëshira për gol e Robinjos lënë për të kuptuar që vendësit nuk falin. Braziliani është në formë, gjithmonë në lëvizje duke dribluar e duke përhapur panik në mbrojtjen siciliane. Dhe në minutën e 7-të është pikërisht Robinjo që pas një aksioni brenda zonës, pengohet nga Lanzafame, dhe për arbitrin është penallti. Nga pika e bardhë gjuan Ibrahimoviçi, i cili me ftohtësinë e tij dërgon topin në cepin e djathtë të portës së portierit Andujar. Në minutën e 12-të, Zambrota me bërrylin e djathtë devijon një gjuajtje të Lanzafames. Sicilianët protestojnë në mënyrë civile, por arbitri Gravasani e gjykon prekjen të pavullnetshme. Pa Nestën në mbrojtje, Milani jep më të mirën e vet kur kundërsulmon, ku Ibrahimoviçi është në një formë të shkëlqyer. Suedezi ka bërë kombinime të frytshme me Sedorfin, por veçanërisht me Robinjon, pa harruar Akuilanin dhe Emanuelsonin, të cilët përveçse mbrojnë, janë të dobishëm edhe në sulm. Alegri i urdhëron skuadrës të mos mbështet te goli i Ibrës, por të shënojë sërish. Dhe suedezi zbaton menjëherë porosinë e teknikut, duke dërguar një top të saktë nga mesi i fushës për Robinjon. Braziliani me shpejtësi i drejtohet zonës kundërshtare dhe pasi e përkëdhel topin me të djathtën, e çon atë në cepin e shtyllës dhe më pas në rrjetë. Në pjesën e dytë, Alegri fut Jepesin në vend të Bonerës, për shkak dëmtimi. Kuqezinjtë e nisin takimin të sigurt nga dy golat e pjesës së parë dhe dallohet qartë që nuk duan të shpenzojnë energji. Por, kësaj radhe mbrojtja e Milanit duket më e organizuar, dhe arrin t’u bëjë ballë sulmuesve të Katanbias. Siçilianët shqetësojnë me Maksi Lopezin, i cili rrezikon herë pas here. Por është Milani që shënon sërish. Edhe goli i tretë ka ardhur nga këmbët e Robinjos, i cili në minutën e 69-të detyron Lodin të bëj autogol. Tri minuta dhe do të vijë rrjeta e katërt. Portieri Andujar nuk arrin të presë siç duhet gjuajtjen e fuqishme të Akuilanit dhe nga ky gabim përfiton Zambrota, i cili nuk fal. Gjatë minutave të fundit të takimit, Alegri zëvendëson Robinjon me Inzagin, që rikthehet në fushë pas një kohë të gjatë. Sulmuesi italian u duk në formë dhe për pak mund të çonte në pesë numrin e golave të skuadrës kuqezi.

Fitojnë Udineze e Lacio, marrin kreun
Udineze dhe Lacio përfitojnë nga shtyrja e ndeshjes Napoli-Juventus dhe marrin kreun e tabelës së klasifikimit. Udineze gjen kreun pasi ka mundur me rezultatin 2-1 Sienën. Bardhezinjtë kalojnë në avantazh që në fillim të takimit me gol të Bastas, i cili mposht portierin Brkiç pas një rrëmuje në zonë. Në pjesën e dytë është sërish Di Natale, i cili me driblimet e tij deh kundërshtarët dhe dërgon topin në rrjetë. Trembëdhjetë minuta nga fundi i takimi, Bolzoni shkurton distancën e golave. Sakaq, Lacio mund gjatë minutave të fundit Parmën me gol të Skualit, duke u pozicionuar kështu e dyta në tabelën e klasifikimit, para Milanit.

Moti i keq, shtyhet Napoli-Juventus
Është shtyrë për shkak të motit të keq kryesfida e kësaj jave në kampionatin italian, Napoli-Juventus, bën të ditur agjencia e lajmeve ANSA. Vendimi është marrë pas një takimi që u zhvillua në Prefekturën e Napolit ditën e djeshme. Ky vendim, mbi të gjitha u përcaktua nga objektivi për të mbrojtur sigurinë e tifozëve që  do të ishin të pranishëm në stadium. Sipas asaj që është mësuar në prefekturë, fusha e stadiumit “San Paolo” është përmbytur tërësisht. Një tjetër çështje delikate është edhe gjendja kritike e trafikut, si dhe rrugët e përmbytura në të njëjtën zonë ku ndodhet stadiumi. Duke u nisur nga këto, vendimi për të shtyrë ndeshjen ishte unanim.

Serie A/ Ndeshjet
Palermo-Bolonja    3-1
Novara-AS Roma    0-2
Dje
Milan-Katania    4-0
Atalanta-Kaljari    1-0
Çesena-Leçe    0-0
Kievo-Fiorentina    1-0
Lazio-Parma        1-0
Udineze-Siena    2-1
Xhenoa-Inter (e shtyrë)
Napoli-Juventus (e shtyrë)

Renditja
Nr. Ekipi                        P       ND
1. Udinese                    21     10
2. Lazio                         21     10
3. Milan                        20     10
4. Juventus                19     9
5. Palermo                  16     10
6. Napoli                      14     9
7. Roma                       14     10
8. Katania                   14     10
9. Siena                        13     10
10. Kaljari                  13     10
11. Xhenoa                 12     9
12. Atalanta              12     10
13. Fiorentina          12     10
14. Kievo                   12     10
15. Parma                  12     10
16. Bolonja                10     10
17. Inter                     8     9
18. Leçe                      8     10
19. Novara                7     10
20. Çesena                 3     10

 

© Panorama.al

Te lidhura