Serbia zyrtarisht propozon ndarjen e Veriut të Kosovës

May 17, 2011 | 9:18

Zërat për kërkesën e ndarjes së Kosovës janë bërë shqetësimi kryesor i Prishtinës, por edhe ndërkombëtarëve, të cilët vazhdimisht nxjerrin deklarata se një opsion i tillë nuk është i pranueshëm.Ndarja e pjesës veriore të Mitrovicës, e populluar nga shumicë serbë, nga pjesa tjetër e Kosovës, është një lojë e nxitur nga Beogradi dhe me shumë gjasa e pranuare dhe nga liderët më të lartë të këtij vendi. Por, për shkak të presionit të fortë ndërkombëtarë, zyrtarë të ndryshëm japin deklarata të ndryshme, dikush pohon se ndarja është opsioni më i mirë dhe dikush tjetër del pak orë më pas dhe e përgënjeshtron, me pretendimin se kjo temë nuk është fare në tryezën e Beogradit. Vetë Presidenti serb, Boris Tadiç, dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi, Vuk Jeremiç janë shprehur se duan të diskutojnë deri në fund me Kosovën , pasi “nuk mund të dalë një shtet plotësisht i kënaqur dhe një tjetër plotësisht i zhgënjyer” nga konflikti politik. Në një intervistë për gazetën prishtinase, “Zëri”, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, tha se ai është politikani më pragmatik që reflekton situatën reale në terren. “Kështu, siç është nisur me dialogun steril, do të kalojnë vite edhe dekada dhe nuk do të arrihet asgjë”, tha ai. Daçiç tha se pjesët e dominuara nga serbët duhet të bëhen pjesë e Serbisë, ndërsa pjesët e populluar nga shqiptarët duhet të lejohen të shkëputen, si zgjidhja e vetme afatgjatë. Kundërpërgjigja e homologut të tij në Kosovë, Bajram Rexhepi, ishte e shpejtë. “Kjo është një ide regresive, për të cilën nuk ka vend. Ndërkohë që ne përpiqemi të bëhemi pjesë e një Europe të bashkuar, ide të tilla janë të papranueshme, qoftë për qeverinë tonë, qoftë për komunitetin ndërkombëtar”, është shprehur Rexhepi për “REL”. Ai shtoi se Beogradit i është bërë e qartë se kjo temë nuk do të jetë pjesë e bisedimeve dhe se pala kosovare nuk do ta pranonte kurrë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë serbe, Milivoje Mihajloviç, ka deklaruar se çdo propozim i shprehur nga politikanët serbë për ndarjen e Kosovës ka qenë privat, dhe jo zyrtar. “Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk e ka diskutuar çështjen e ndarjes së Kosovës dhe asnjëherë nuk ka mbajtur ndonjë forum për ta diskutuar atë”, tha ai.

Sot, raundi i katërt

Më 17 dhe 18 maj, në Bruksel do të mbahet raundi i katërt i dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë, ku do të diskutohet  mbi telekomunikacionin, energjinë, vulat doganore, lirinë e lëvizjes, diplomat, trashëgiminë kulturore dhe fati i të zhdukurve. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila drejton ekipin kosovar, tha se shkon në këtë takim duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, por njoftoi se pala serbe po përpiqet që të devijojë kontekstin e bisedimeve nga teknik, në politik. Deklarata e saj u bë pas leximit të një interviste të kreut të ekipit të Serbisë, Borislav Stefanoviç, në gazetën serbe “Politika”, pas kthimit nga vizita në Prishtinë, ku ai ishte shprehur se qeveria e Serbisë në bisedë me Prishtinën do të zgjidhë pozitën e serbëve në Kosovë dhe se pala kosovare ka mungesë guximi për të ofruar propozime.

© Panorama.al

Te lidhura