Grupe serbësh të pjesës veriore të Mitrovicës kanë bllokuar qysh mbrëmë rrugët që çojnë në drejtim të Zveçanit si dhe afër urës mbi Ibër. Një barrikadë është vendosur në afërsi të Shkollës Teknik në veri të Mitrovicës, te Lagjja e Boshnjakëve. Sipas burimeve korrespondentit të Koha.net në Mitrovicë, serbët kanë vendosur barrikada në fshatin Rudare, në drejtim të pikës kufitare në Jarinje, kurse në fshatin Zupç kanë vendosur barrikadë që bllokon tërësisht rrugën që çon në drejtim të pikës kufitare Bërnjakë.
Një kolonë e KFOR-it, sipas medieve serbe, e cila ishte ndalur mbrëmë nga grupe serbësh, është kthyer në bazë pas dy orë negociatash. Ajo përbëhej nga rreth 20 automjete të blinduara, kamionë, xhipa dhe ishte nisur në drejtim të leposaviqit, përkatësisht në Jarinje.
Agjencitë serbe të lajmeve njoftojnë sot se barrikadat e vendosura mbrëmë kanë gdhirë të përforcuara. Po ashtu njoftohet se mbrëmë banorët serbë të Zveçanit kanë ndalë konvojin e KFOR-it në dalje të qytetit dhe nuk e kanë lejuar të vazhdojë rrugën në drejtim të veriut të Kosovës. Po këto agjenci njoftojnë për shkarkim të kamionëve me rërë në rrugën ndërmjet Mitrovicës e Zveçanit. Siç citohet kryetari paralel i Mitrovicës, Krstimir Pantiq, barrikadat janë vendosur me vetiniciativë të qytetarëve, në Lagjen e Bosnjakëve dhe në dalje të Mitrovicëss në drejtim të Zveçanit, për shkak të paralajmërimeve se policët dhe doganierët e Kosovës do të marrin kontrollin e pikëkalimeve kufitare me Serbinë, të mbështetur edhe nga EULEX-i.
Një rrugë që çon në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve, përkatësisht në drejtitm të urës lindore është bllokuar plotësisht, bëjnë të ditur mediat e Beogradit, kurse në dalje nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit komunikacioni zhvillohet vetëm përmes një korsie, por me pengesa zigzag. Edhe në barrikadën e vendosur në Leposaviq qytetarët lejojnë vetëm qarkullimin e veturave vetëm nëpër një korsi. Njoftohet se kështu u pengua KFOR-i të transportojë kontejnerët për nevoja të doganës në Jarinje. (Koha Ditore)
© Panorama.al











