Tirana është pa dyshim në ditët e saja historikisht më të vështira. E nëse deri para pak kohësh shumë lojtarë nga të gjitha skuadrat ëndërronin të vishnin fanellën e kësaj skuadre, sot janë të paktën 6 lojtarë, titullarë të padiskutueshëm që më shumë se një herë kanë thënë se do largohen nga skuadra gjatë merkatos së këtij muaji. Kaosi që ka përfshirë klubin që pas kalimit në shoqëri aksionere, ka detyruar këta të fundit që të shohin alternativa të tjera në vazhdim të karrierës së tyre. Arsyeja fare e thjeshtë: lojtarët nuk paguhen që prej tetorit të vitit të kaluar dhe për më tepër nuk shohin “dritë në fund të tunelit”. Kështu, Ilion Lika, Gilman Lika, Bekim Bala, Julian Ahmataj, Erion Dushku dhe Arian Pisha janë një hap larg prishjes së kontratës me klubin bardheblu. Sakaq, me largimin e Mahmud Al Ajmit, Esama Etogosë, Moses Arita, Xhejms Situmas, edhe Kamerun Heple duket se nuk ka ndër mend të kthehet te bardheblutë, duke u bërë kështu lojtari i fundit i huaj që largohet nga kjo skuadër për këtë sezon. Me këtë llogari i bie që trajneri spanjoll, Hulian Rubio, të ketë në dispozicion vetëm këta lojtarë: Dauti, Sejdo, Dabulla, Ferraj, Hoxhallari, Sina, Bodini, Burreli, K.Duro, Gjata, Kalari, Karabeci, Peposhi, Taku, Tushe, Morina dhe Sorra.











