Sekuestrohen 50 kg marijuanë, arrestohen 3 vetë

Jul 6, 2011 | 9:57

PËRMET- Tre persona janë arrestuar gjatë një aksioni antikanabis të policisë së Përmetit, finalizuar me sekuestrimin e një sasie prej 50 kg marijuanë. Ndalimi është bërë në aksin nacional Tepelenë-Përmet në hyrje të qytetit të Këlcyrës, ku patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Përmet, ka arrestuar transportuesit e marijuanës vëllezërit Renato dhe Enea Kadilli 26 dhe 27 vjec, si dhe Jorgo Oshafi 33 vjec po nga Pogradeci.

Burimet nga Policia e Përmetit, kanë bërë të ditur se marijuana ka qenë e fshehur në dy automjete ku qarkullonin të arrestuarit. Në sediljen e pasme të automjetit BMË me targa TR 05 30 N që drejtohej nga Renato Kadilli, policia konstatoi dy çanta të mëdha shpine brenda të cilave kishte pako të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të llojit marijuana.

Pas zbulimit të sasisë së parë të drogës, Policia e Përmetit, arriti të ndërhynte në një tjetër automjet që shoqëronte të parin sërish një BMW me targa false UENDIK e cila drejtohej nga vëllai tjetër  Enea Kadilli. Ky i fundit, ka kundërshtuar fillimisht kontrollin fizik të mjetit nga ana e Policisë madje ka ushtruar forcë ndaj patrullës policore. Për këtë, ai është arrestuar menjëherë së bashku me shoqëruesin tjetër të mallit narkotik Jorgo Oshafi.

Grupi hetimor si dhe specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pas kqyrjes së çantave të gjetura në automjet, konstatuan se në  njërën çantë kishte gjashtë pako dhe në tjetrën nëntë pako të formatit të madh. Pakot kanë qenë të mbështjella me letër nagjitëse ngjyrë kafe dhe pesha e tyre varionte nga 2-4 kg secila. Sasia e 15 pakove, rezultoi të kishte në fund, një peshë totale prej 50 kg marijuanë.

Tre të rinjtë, pohuan se mallin narkotik e kishin siguruar në një rreth të Shqipërisë së Mesme por pa e identifikuar zonën. E gjithë droga, do të trafikohej drejt Greqisë nga pogradecarët përmes vijës së gjelbër kufitare në zonën e Leskovikut.                                                              Piro Nase

 

© Panorama.al

Te lidhura