Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thotë se SPAK duhet të kërkojë sërish arrestimin e Belinda Ballukut, pasi pozita e saj penale është rënduar, duke qenë se dyshohet edhe për veprën penale të korrupsionit dhe të pastrimit të krahave, krahas shkeljes së barazisë në tendera.

Në një reagim, Bardhi thotë se e ka paralajmëruar më herët se Balluku ka pasuri të fshehura dhe se e vërteta doli në pah. Ai kërkon nga SPAK që të zbatojë ligjin dhe t’i drejtohet sërish Kuvendit për t’i hequr imunitetin e deputetes, me qëllim hapjen e rrugës për dhënien e masës së arrestit.
“Tani është detyrë e SPAK të rikërkojë arrestimin e Belinda Ballukut, sipas detyrimit që përcakton ligji. Pozita e bashkëpunëtores së ngushtë të Edi Ramës është rënduar me dy akuza të reja: korrupsion dhe pastrim parash. SPAK duhet të zbatojë ligjin, me profesionalizëm dhe guxim. Koha është tani!”, shkruan Bardhi.
Ish zëvendës kryeministrja, e marrë zyrtarisht e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera por dhe e dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, akuzohet se ka fshehur një vilë dykatëshe të marrë në formë rryshfeti gjatë kohës që drejtonte Albcontrol, duke përdorur ish futbollistin e Kombëtares Igli Tare dhe një ish vartëse të saj.
REAGIMI I PLOTE:
Më 26 Shkurt në një intervistë në News 24 paralajmëruam se Belinda Balluku ka pasuri të fshehura nga aferat e saj korruptive.
Vetëm në pak muaj SPAK ka dokumentuar 2 pasuri të fshehura në jug të Shqipërisë – 1 vilë 300 m2 për Belinda Ballukun dhe 1 tjetër vilë në pronësi të Sekretares së saj të Përgjithshme.
E vërteta doli!
Në 12 Mars Edi Rama mbrojti korrupsionin e Belinda Ballukut! Të korruptuarit mbrojnë të korruptuarit!
Tani është detyrë e SPAK të rikërkojë arrestimin e Belinda Ballukut, sipas detyrimit që përcakton ligji. Pozita e bashkëpunëtores së ngushtë të Edi Ramës është rënduar me dy akuza të reja: korrupsion dhe pastrim parash. SPAK duhet të zbatojë ligjin, me profesionalizëm dhe guxim. Koha është tani!
© Panorama.al











