Seanca të enjten, në rendin e ditës kodet që duan 84 vota

Sep 21, 2011 | 10:28

Kuvendi ka përfshirë në seancën parlamentare të së enjtes të gjitha kodet që kërkojnë 84 vota. Në faqen zyrtare të Parlamentit është publikuar rendi i ditës për seancën që do të fillojë nesër në orën 10:00. Fillimisht, deputetët e maxhorancës dhe opozitës do të diskutojnë për tri projektligje dhe konkretisht për draftin “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë në Republikën e Shqipërisë”; projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe projektligjin “Për shërbimin veterinar në RSH”. Më pas në rendin e ditës janë futur ndryshimet në gjashtë kode, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Opozita nuk do t’i votojë këto projektligje dhe pritet të kërkojë që ato të hiqen nga rendi i ditës.
Vetëm dy ditë më parë, ishte kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që tha se socialistët nuk do t’i votojnë këto drafte pa u diskutuar më parë në komisionet përkatëse ku të pranohen edhe propozimet e pakicës. Nga ana e saj, maxhoranca ka përsëritur për të disatën herë thirrjen për të votuar kodet që kërkojnë shumicë të cilësuar të votave. Në rendin e ditës janë parashikuar edhe dy interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe atë të Inovacionit, Genc Pollo. Seanca do të mbyllet me 60 minutëshin, kohë kur deputetët mund të diskutojnë për problemet në zonat e tyre elektorale.

© Panorama.al

Te lidhura