Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet seanca paraprake për Ilir Metën, ku pritet nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Para nisjes së seancës në GJKKO, u paraqiten edhe avokatet mbrojtës, Gylsen Zhllima dhe Kujtim Cakrani.
“Duhet të kuptoni diçka, kjo gjykatë ose do ti kthehet ligjshmërisë, ose ne nuk i ndahemi”, i tha avokati Cakrani gazetarëve të pranishëm.
Në seancën e kaluar Ilir Meta ishte vetë i pranishëm, por seanca u shty pasi kërkoi që të njihej me një pjesë të akteve me pretendimin se i ishte vënë në dispozicion vetëm kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se Meta do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore, ndërsa dy ditë më parë, sikurse Veliaj, edhe kreu i PL kërkoi që të mos qëndronte në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut.
Në kërkesën depozituar GJKKO-së, thuhej se nëse nuk do të merrej parasysh kjo kërkesë, nuk do të merrnin pjesë në seanca.
© Panorama.al











