Sarkozy takoi Macron në Pallatin Presidencial pak para se të burgoset

Oct 20, 2025 | 18:09

Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar se ka pritur në Pallatin Élysée paraardhësin e tij, Nicolas Sarkozy, vetëm pak ditë përpara se ky i fundit të nisë vuajtjen e një dënimi me burg.

sarkozy macron

Takimi u zhvillua të premten e kaluar, sipas gazetës Le Figaro, ndërsa Macron theksoi se bëhej fjalë për një takim privat, “i natyrshëm në nivel personal”, pa asnjë ndërhyrje në pavarësinë e drejtësisë franceze.

Sarkozy ka bërë të ditur se do të nisë të martën vuajtjen e dënimit në burgun e Santé në Paris, pa sqaruar se sa kohë do të qëndrojë i burgosur. Ai është dënuar me 5 vite burg për korrupsion dhe financim të paligjshëm të fushatës së tij elektorale në vitin 2007, përmes lidhjeve me regjimin e atëhershëm të Muamar Gadafit në Libi.

Në një deklaratë për mediat, Sarkozy tha se do të marrë me vete në qeli romanin “Konti i Monte Kristos” të Alexandre Dumas dhe një biografi për Krishtin.

Ai është ish-kreu i parë i shtetit francez që futet në burg që nga koha e Philippe Pétain, liderit kolaboracionist gjatë pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore.

© Panorama.al

Te lidhura