Sarandë, Stefan Çipa i heq mandatin e tretë demokratit Gjoka

May 10, 2011 | 10:43

SARANDE – Pas dy mandatesh të qeverisura nga PD, që nga 2003-shi, zgjedhjet e së dielës nxorën fitues për Sarandën kandidatin socialist. Që nga e hëna e 9 majit, Stefan Çipa është kryebashkiaku i ri i Sarandës, i dalë nga votimet e 8 majit me një fitore 55.6%, kundrejt 31.8% të fituara nga rivali i tij, Edmond Gjoka. Pas një kohe numërimi maratonë prej 16 orësh, i cili nisi në orët e para të së hënës e pa pushuar për asnjë moment, pasditja e së hënës, në orën 16:45, dha rezultatin përfundimtar të dalë nga numërimi i votave në KZAZ-në Nr. 64, duke nxjerrë fitues për kryebashkiak të Sarandës Stefan Çipën të Aleancës për të Ardhmen. Menjëherë pas fitores nga vota e lirë e qytetarëve sarandjotë për të qenë ai njeriu që do ta qeverisë këtë qytet për katër vitet në vazhdim, Stefan Çipa tha për Panoramën: “Është meritë e popullit të Sarandës që shprehu kulturë demokratike në këto zgjedhje. Bëmë fushatë të kulturuar, ndërkohë që edhe ditën e votimeve u votua mirë dhe qetë. Përulem përpara popullit tim për atë që më besoi. Nëse sarandjoti më mbështeti dje si kandidat i një partie dhe koalicioni, pas këtij momenti do të jem kryetari i gjithë Sarandës dhe në të ardhmen do të bëjmë realitet më të mirën për këtë qytet. Unë nuk do të jem padron i këtij qyteti, por shërbëtor i tij. Nga premtimet, në realizimet më emergjente për qytetin tim janë ato për mbarëvajtjen e sezonit turistik verë 2011”. Stefan Çipa, kryetari i ri i Bashkisë së Sarandës, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, i fitoi zgjedhjet lokale 2011 me një shumicë prej 7234 votash, kundrejt rivalit të tij, që mori 4974 vota. Ndërkohë, sipas burimeve nga KZAZ Nr. 64, rezultatet për Këshillin Bashkiak janë: PS ka fituar 35.5% të votave, PD 13%, PDIU 7%, MEGA 6.5%, LSI 6.4%, PAA 5%, ndërkohë që 750 vota kanë shkuar për partitë e tjera. Atmosfera në kampin rozë menjëherë pas sinjalit përfundimtar të shpalljes së fitores së Stefan Çipës kryebashkiak i Sarandës për katër vitet në vijim, ka qenë tepër e ndezur. Flamuj valëvitës, brohoritje dhe festime në grupe deri edhe fishekzjarrë e këngë përcollën pamjen e fitores së kampit rozë në Sarandë. Qytetarë të shumtë, të rinj dhe të reja, por edhe banorë të Sarandës, ishin sfondi i kësaj atmosfere fitoreje që kurorëzoi fitoren e Stefan Çipës për kreun e Bashkisë së Sarandës. Mes banorëve sarandjotë duke vallëzuar në sheshin e qytetit ka qenë për rreth 3 orë kryetari i ri i Bashkisë, Stefan Çipa. E kundërta ndodhi në Delvinë, ku kryebashkiaku aktual, Dhurim Alimani, i zgjedhur nga PD, fitoi sërish dhe këtë mandat, me një numër prej 1100 votash diferencë.

Ksamili rozë

Por, fitore e PS nuk u shënua vetëm në Sarandë. Edhe në Ksamil, Besnik Abedini i PS-së, ka fituar me 450 vota para rivalit të tij, ish-kryetarit të komunës, Vesel Koçia. Besnik Abedini vjen në krye të komunës së Ksamilit nga arsimi, si mësues matematike. Koçia ka drejtuar komunën për dy mandate rresht. Në komunën e Alikos ka fituar Kristo Kaishi i PBDNJ-së dhe atë të Livadhjasë do ta drejtojë për një mandat të dytë Irodhi Dalani, i dalë nga PBDNJ.

Sarande

Bashkia Delvinë
Dhurim Alimani, PD fiton me 1100 vota diferencë përballë kandidatit të PS, Dashamir Hodo

Komuna Ksamil
Besnik Abedini i PS fiton me 450 vota më shumë se kryekomunari Vesel Koçia, i zgjedhur nga PD

Komuna Aliko
Fiton Kristo Kaishi, PBDNJ

Komuna Livadhja
Fiton Irodhi Dalani, PBDNJ

© Panorama.al

Te lidhura