SARANDE: Maskat, dhunë të moshuarve, u grabisin 3 milionë lekë

Jan 10, 2012 | 11:05
Haki Allkushi në spital

SARANDE- Dhunohen dhe më pas grabiten çifti i të moshuarve në Qafë-Gjashtë të Sarandës. Ngjarja, sipas Policisë, ndodhi rreth 30 minuta pas mesnatës së djeshme në familjen Allkushi. Tre të rinj, të maskuar e të pajisur me armë të ftohta, kanë thyer xhamat e një prej dritareve të banesës private. Ata kanë arritur të futen, ndonëse më parë janë përballur me një rrethim me mur e tela në lartësinë e rreth 3 metrave. Në banesë ndodheshin vetëm bashkëshortët Haki e Bije Allkushi, 89 e 75 vjeç. Gjashtë fëmijët e tyre prej vitesh janë emigrantë në Greqi, ndërsa një fëmijë tjetër i tyre jetonte disa metra larg tyre. Sipas dëshmisë së 89- vjeçarit Allkushi, ai me bashkëshorten kishin pak orë që ishin shtrirë për të fjetur. Një nga grabitësit ka dhunuar të moshuarin duke i kërkuar që t’i jepte lekët që kishte në shtëpi. Në momentin kur ka hasur në qëndresën e tij, dhe mohimi se kishte para në banesë, atëherë i maskuari e ka goditur atë në kokë dhe në brinjë me kondakun e armës së gjahut, të cilën i moshuari e mbante afër krevatit. Pas kësaj, nisën të kontrollonin banesën duke kthyer në rrëmujë çdo gjë që gjenin përpara. Në një dollap të shtëpisë autorët gjetën një sasi parash, të cilat sipas dëshmisë ishin rreth 300 mijë lekë. Policia nisi hetimet, ndërsa 89-vjeçari ndodhet në spital. Dyshohet se autorët janë banorë të fshatit Gjashtë dhe se ishin në dijeni se çifti i të moshuarve jetonin të vetëm. Gjithashtu, dyshohet se autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar, kishin kohë që e studionin banesën për ta grabitur. sh.d

© Panorama.al

Te lidhura