SARANDE – Qyteti i Sarandës pushtohet nga turistët në këto ditë të fillimmajit. Gjatë fundjavës së kaluar, përmes trageteve të ardhura nga Korfuzi, kanë mbërritur në Portin e qytetit të Sarandës mbi 400 turistë, kryesisht perëndimorë. Interesi i tyre ka qenë bregdeti shqiptar dhe eksplorimi i siteve arkeologjike të Butrintit. Ndonëse mjedisi që ofron Saranda këto ditë ka qenë tërësisht në funksion të zgjedhjeve vendore të 8 majit, kjo nuk i ka penguar vizitorët e huaj të jenë mysafirë të qytetit bregdetar. Me dhjetëra turistë, kryesisht nga vendet e perëndimit, kanë mbërritur në Sarandë, përmes trageteve të ardhura nga Korfuzi. Agjencitë vendëse turistike kanë ofruar një axhendë të ngjeshur të vizitave nëpër qytet dhe sitet arkeologjike, të vizitorëve të ardhur nga Holanda, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Me dhjetëra autobusë kanë transportuar vizitorët e huaj nga Porti i Sarandës drejt destinacioneve të ndryshme, kryesisht në Butrint. Përshtypjet fillestare të turistëve të huaj kanë qenë si gjithmonë pozitive për bukuritë natyrore të zonës. “Është hera e parë që vij në Shqipëri përmes Korfuzit. Përveç Sarandës, do të shkoj edhe në Butrint dhe pasi të eksplorojmë të gjithë zonën, do rikthehemi përsëri në Korfuz”, na tha një turist anglez, i cili sikur të mos i kishte mjaftuar veshja me tuta të kuqe, kishte qarkuar edhe ballin më një shirit të kuq. “Është hera e parë që vij në Sarandë e njëkohësisht është edhe udhëtimi im i parë në Shqipëri. Pak kemi dëgjuar për Sarandën, në Korfuz, nga dhe kemi ardhur me traget, por ato që shikojmë këtu deri tani janë mbresëlënëse”, tha një turist holandez. Ndërsa një turiste nga Holanda u shpreh se do të rikthehet sërish. sh.d











