Situata pasgjedhore, Topi apel për maturi e qetësi

May 18, 2011 | 11:52

TIRANE- “Maturi, qetësi, ndjenjë të lartë përgjegjësie, dhe respektim të ligjit”. Ky eshte apeli i kreut te shtetit, Bamir Topi bere per situaten pasgjedhore, gjate takimit te zhvilluar sot me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino, shoqeruar nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui.

Presidenti Topi ritheksoi se në pozicionin e Kryetarit të Shtetit shqiptar do të jetë përherë “respektues i Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe ruajtjes së ekuilibrave politikë e shoqërorë, në interes të qytetarëve shqiptarë dhe përmbushjes së ëndrrës së tyre evropiane si dhe të stabilitetit të vendit.”

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan faktin se vullneti i forcave politike në Shqipëri është me mjaft rëndësi për përparimin e integrimit të vendit drejt strukturave të Bashkimit Evropian dhe plotësimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës si dhe detyrimeve të tjera që nevojiten për anëtarësimin në familjen evropiane.

Në këtë prizëm, për t’i shërbyer axhendës evropiane të Shqipërisë, Presidenti Topi vlerësoi si “të një rëndësie historike edhe vizitën e pritshme në fund të kësaj jave të Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo dhe delegacionit me zyrtarë të lartë të BE-së në Tiranë”.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino, pasi shprehu falenderimet e tij për pritjen e rezervuar nga Presidenti Topi, vlerësoi punën dhe qëndrimin institucional rigoroz e konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kreut të Shtetit shqiptar.

Zyrtari i lartë i BE-së, zoti Sanino, e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për gatishmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të vijuar ndihmesën në funksion të arritjes së standardeve demokratike, konsolidimit të institucioneve të pavarura demokratike e kushtetuese dhe përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë.

 

 

 

© Panorama.al

Te lidhura