Jahjaga do të marrë pjesë në Samitin e Varshavës

May 25, 2011 | 17:41

PRISHTINE- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në  Samitin e liderëve të 21 vendeve të Evropës Qendrore, që do të mbahet në Varshavë më 27 dhe 28 maj 2011.

“Liderët e vendeve do të diskutojnë për sfidat e demokracisë në vendet e tyre, për bashkëpunimin bilateral dhe multilateral dhe për procesin e integrimeve. Në një seancë pune, që udhëhiqet nga Presidenti i SHBA-së, liderët do të bisedojnë për lëvizjet popullore në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, për sfidat dhe për kahet e tyre, si dhe për ndikimin që kanë në vendet e tjera”- thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të presidencës së Kosovës.

Në njoftimin për shtyp thuhet, se presidentja Jahjaga do të flasë për pavarësinë e Kosovës, për ndërtimin e institucioneve, për proceset e integrimeve evropiane të Kosovës, për barazinë nacionale, harmoninë fetare dhe për liritë dhe të drejtat e njeriut, për bashkëpunimin rajonal për ndihmën ndërkombëtare dhënë Kosovës, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon e më gjerë.

Mësohet se gjatë punimeve të Samitit, presidentja Jahjaga dhe delegacioni shoqërues do të takohen me delegacione të shumë vendeve, ndërsa takim I një rëndësie të veçantë do të jetë ai me presidentin e SHBA-së, Barack Obama.

Ftesa që i bëri Kosovës,  mikpritësi, presidenti i Polonisë Bronisllav Komorovski, bëri që presidenti i Serbisë Boris Tadiç të anulonte pjesëmarrjen e tij në Samit.

© Panorama.al

Te lidhura