Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca duhet të rrisë investimet në mbrojtje dhe të mbetet e bashkuar përballë sfidave të sigurisë, ndërsa komentoi edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë për mediat, përpara seancës kryesore të Samitit të NATO-s në Ankara, Rutte tha se ndalimi i konflikteve kërkon një forcim të kapaciteteve mbrojtëse të aleancës.
“Duhet t’i ndalojmë luftërat. Prandaj duhet të rrisim buxhetet për mbrojtjen”, u shpreh ai.
Rutte ritheksoi mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, duke theksuar se aleanca synon të jetë më e fortë dhe më e transformuar.
“Jemi të vendosur të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën. Duhet të kemi një NATO më të fortë dhe më të transformuar. Aleatët evropianë janë tashmë shumë më të aftë dhe shpenzimet për mbrojtjen janë rritur ndjeshëm”, deklaroi ai.
Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, Rutte vlerësoi presidentin Donald Trump për shtimin e investimeve në mbrojtje, por shtoi se edhe kërcënimi i paraqitur nga Rusia ka ndikuar në këtë drejtim.
“Presidenti Trump arriti atë që shumë presidentë amerikanë kanë kërkuar prej kohëshh, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë dhe SHBA. Jo vetëm falë Trump, por edhe për shkak të Rusisë, sot po flasim për një NATO dhe një Evropë shumë më të fortë”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s foli edhe për situatën me Iranin, duke theksuar se Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.
“Pres që sot të diskutojmë edhe për Iranin me aleatët tanë. Duhet ta përsërisim qartë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Gjithashtu, Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet plotësisht e hapur, pasi është një pikë me rëndësi strategjike për të gjithë”, deklaroi Rutte.
Ai komentoi edhe sulmet e fundit amerikane ndaj objektivave iraniane, duke i cilësuar ato si të justifikuara.
“Këto sulme ishin të nevojshme, sepse Irani shkeli armëpushimin. Pamë se anijet u sulmuan dhe mendoj se reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte krejtësisht i natyrshëm”, përfundoi kreu i NATO-s.
© Panorama.al












