“BE të mos e shohë Ramën si zërin e vetëm të Shqipërisë”- Marjana Koçeku ‘godet’ kryeministrin, ‘Neomalësorja’ për Euractiv: Besojmë në vlerat evropiane, por nuk e mbështesim qeverinë

Jul 8, 2026 | 8:32

Në kulmin e protestave që prej më shumë se një muaji qytetarët kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, deputetja e pavarur Marjana Koçeku thotë se ‘Brukseli duhet të ndalojë së trajtuari Edi Ramën si zëri i vetëm evropian i vendit’.

protesta

Në një intervistë për Euractiv, Koçeku, e cila u largua muajin e kaluar nga Partia Socialiste, deklaroi se nuk mund të qëndronte më në një forcë politike që po ndjek politika që dëmtojnë mjedisin.

“Nuk mund t’i përkisja më një grupi që jo vetëm nuk e mbështet mjedisin, por harton politika që e dëmtojnë atë. Kam mbështetur edhe nismat e kolegëve të opozitës, sepse e konsideroj këtë si të drejtën time qytetare”, u shpreh ajo.

Protestat, që kanë zgjatur prej më shumë se një muaji, kundërshtojnë projektet luksoze turistike të planifikuara pranë zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, përfshirë edhe investime të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Lëvizja është pagëzuar nga protestuesit si “Revolucioni i Flamingove”, në referencë ndaj flamingove që jetojnë në këtë ekosistem.

Sipas Koçekut, protestat pasqyrojnë një krizë të thellë besimi ndaj institucioneve dhe klasës politike.

“Nuk ka më legjitimitet, as për qeverinë dhe as për opozitën tradicionale. Të dyja kanë treguar se punojnë vetëm për interesa të një grupi të vogël”, tha ajo.

euroactuiv

Nga ana tjetër, kryeministri Rama i ka cilësuar protestat si një “histeri digjitale” dhe një “revolucion imagjinar”, duke akuzuar kundërshtarët dhe aktivistët online për fryrje të situatës.

Koçeku kundërshton këtë qëndrim, duke thënë se qeveria po përpiqet të krijojë përshtypjen se protestat dëmtojnë procesin e integrimit europian.

“Ai po përdor median për të krijuar bindjen se, nëse protestojmë, po minojmë procesin e integrimit dhe besimin e Bashkimit Evropian. Politikanët tanë e kanë humbur plotësisht kontaktin me realitetin”, deklaroi deputetja.

Ajo i kërkoi Bashkimit Evropian të ndërtojë një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm me qeverinë.

“Integrimi evropian nuk duhet të jetë vetëm një proces burokratik. BE-ja duhet të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me njerëzit, sepse janë ata që e dinë nëse reformat ndihen apo jo në jetën e përditshme”, tha Koçeku.

Deputetja, e cila hyri në Kuvend në moshën 24-vjeçare , theksoi se brezi i ri ka një kulturë politike më evropiane sesa elita aktuale politike.

“Brezi i ri është shumë më i kulturuar politikisht dhe shumë më evropian se elita politike. Kjo është Shqipëria që unë dua të shohë Brukseli”, tha ai duke shtuar se “Ne besojmë në vlerat evropiane. Por nuk po e mbështesim kryeministrin dhe qeverinë tonë.”

 

© Panorama.al

Te lidhura