ATHINE- Kreu i Partisë Demokracia e Re në Greqi, Antonis Samaras mësohet se i ka dërguar një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian ku ka përsëritur angazhimin e tij për arritjen e objektivave të ndërmarra nga qeveria e përkohshme e Greqisë.
Përmbajtja e letrës është e ngjashme me atë që Samaras i dorëzoi të hënen, kryetarit të Partisë Popullore Evropiane (EEP), Wilfried Martens.
Në letrën e së mërkurës Samaras thotë se partia e tij do të mbështesë administratën e përkohshme, të udhëhequr nga ekonomisti Lukas Papadhimos, për të kryer porositë e marra në takimin e eurozonës në tetor, dhe për të zbatuar politikat ekonomike të lidhura me këtë vendim.
Megjithatë, letra thekson se disa nga politikat e ndërmarra duhet të rishqyrtohen.
Letra e re i është dërguar kryetarit të Komisionit Evropian, Eurogrupit, Bankës Qëndrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Më herët zyrtarët e huaj kanë kërkuar një premtim me shkrim nga Samaras, se partia e tij do të mbështesë një paketë të re të masave shtrënguese, me qëllim lirimin e këstit tjetër të ndihmës për Greqinë, dhe ende nuk dihet nëse kjo letër do të jetë e mjaftueshme për zyrtarët evropiane.











