Hamdi Salihi ka realizuar golin e 23-të sezonal me skuadrën e Rapidit të Vjenës. Bomberi i përfaqësueses kuqezi shënoi dje përballë ish-ekipit të tij, Riedit, por nuk evitoi humbjen 2-1 të Rapidit në Kupën e Austrisë. Salihi zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 36-të, duke kaluar Rapidin në avantazh, por Riedi më pas arriti që të përmbyste rezultatin dhe të eliminonte Rapidin. Për 27-vjeçarin nga Shkodra ky ishte goli i 23-të. Ai ka realizuar 17 herë në kampionat, pesë herë në Kupën e Austrisë dhe një herë në Ligën e Europës. Salihi luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërkohë që në minutën e 85-të të takimit, hyri në fushë edhe kosovari me pasaportë austriake, Atdhe Nuhiu. “Jam i lumtur që luaj përkrah Hamdi Salihit. Ai është frymëzimi im, edhe pse ngjaj më tepër me profesorin tim këtu te Rapidi, Karsten Jankerin. Kam karakteristika të ngjashme me Jankerin dhe fakti që punoj me të më ndihmon shumë”, ka thënë Nuhiu pas ndeshjes.











