
Dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi dhe Armend Dallku, mendojnë se çështja e trajnerit të ri ka sfumuar disi miqësoret, por ata janë të mendimit se zgjidhja duhet të jetë e mirëmenduar e pse jo, edhe një trajner shqiptar.
Në momentin kur pritet nga një çast në tjetrin që presidenti Duka të emërojë gjermanin Kostner në krye të skuadrës, dy lojtarët gjykojnë se kjo zgjidhje duhet të jetë e matur, pasi Kombëtarja nuk e ka luksin që të eksperimentojë me trajnerë. “Unë personalisht do isha i mendimit se për postin e trajnerit, që tifozët kontestojnë, do ishte më mirë që të mendoheshim mirë para se të emëronim dikë aty, sesa të bënim një zgjidhje të shpejtë dhe më pas të pendoheshim. Është e vërtetë që momentalisht vendosja e trajnerit të ri është bërë temë e ditës dhe deri diku është e kuptueshme, por unë e theksoj edhe një herë se Kombëtares nuk i duhet një trajner sa për dy ndeshje dhe pastaj ta heqim sërish. Prandaj zgjedhja duhet të jetë sa më e studiuar. Unë jam me idenë se koha realisht nuk na premton edhe për faktin se këto dy miqësore po luhen në një moment jo shumë të përshtatshëm për nga mënyra se si na erdhën gjërat. Ndoshta po të ishin pas dy javësh, jam i sigurt se Kombëtarja do ishte me një trajner në krye ta saj”, ka thënë Salihi. Shkodrani sakaq vlerëson miqësoret që skuadra do luajë në ditët në vazhdim. “Vlejnë më shumë për ekipin në raport me lojtarët e afruar së fundmi. Unë mendoj se çdo ndeshje e Kombëtares është e vlefshme dhe nuk duhet neglizhuar”, sqaron sulmuesi. Ndërsa mbrojtësi kosovar i Kombëtares, Armend Dallku, për atë do kishte qenë më mirë që në krye të ishte një trajner shqiptar. “Për sa i përket trajnerit, mua do më pëlqente që ai të ishte shqiptar, pasi do ta kishim më të thjeshtë që të kuptoheshim dhe ne si lojtarë, të realizonim në fushën e lojës mendimet dhe idetë e tij. Por nuk është e thënë që të kesh trajner shqiptar, skuadra mund të ecë mirë dhe anasjelltas, po të kesh të huaj, do dështosh. Këto gjëra nuk janë të prera me thikë, pasi gjithkush kur merr një skuadër në drejtim mendon të bëjë më të mirën paçka se në ia arrin apo jo”, ka theksuar Dallku.
Stërvitja, piketohen titullarët
Seanca e djeshme tregoi në një farë mënyre edhe se si do luajë skuadra jonë ndaj Azerbajxhanit. Mustadanagiç e ndau ekipin në dy grupe duke zhvilluar një miqësore, ku në njërën anë ishin kandidatët kryesorë Shehi, Agolli, Dallku, Cana, Teli, Hyka, Bakaj, Roshi, Lila, Salihi dhe Bogdani dhe, në anën tjetër, ishin Hidi, Veliu, Lilaj, Lika, Muzaka, Sukaj, Kapllani, Jonuzi dhe Vila. Ndeshja përfundoi 4 me 1 për ekipin e parë.
Me Maqedoninë luhet në mesditë
Federata Maqedonas e Futbollit ka zgjedhur që ndeshja miqësore me Shqipërinë të luhet në Prilep në orën 13:00, orar ky tejet i papërshtatshëm. Por, përveç kësaj, takimi do luhet në stadiumin “Goce Delçev”, me një kapacitet prej 15 mijë vendesh, por me një gjendje të mjerueshme përsa i përket fushës dhe ambienteve. “Goce Delçev” është stadiumi ku luan skuadra e Pobedës, por vitet e kanë amortizuar dhe kthyer në një impiant të papërshtatshëm.
LEONARD KARAJ











