Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se selia blu nuk e ka luksin që të humbasë askënd, në përgjigje të një të riu, gjatë një takimi në Shkodër, kur u pyet nëse partia duhet ta lejojë Ervin Salianjin që të kandidojë apo jo përballë Sali Berishës për kreun e PD-së.
Tabaku la të nënkuptohej se gara duhet të jetë e hapur për këdo dhe se në një parti politike ajo që vendos për ecurinë e tyre është vota. Sipas saj, nuk di që të ketë një vendim të Kryesisë që i mbyll dyert Salianjit, ndërsa i kërkoi këtij të fundit që betejën ta bëjë brenda partisë dhe jo në media.
“Kërkesa ime për Salianjin, hajde bëje betejën në PD. Boll ka vuajtur PD me një betejë që ka ndodhur nëpër studio televizive. Nuk ka rëndësi ku jam unë nesër, apo Salianji por ku do të jetë PD dhe demokratët. Ky debat duhet të ndodhë brenda PD jo jashtë. Fakti që ndodh jashtë është shqetësues. Në një parti politike debatet duhet të ndodhin brenda. Kemi bërë forume për të folur, hajde bëje debatin aty. Debati në studio nuk na ndihmoi.
Unë nuk di që të ketë vendim të kryesisë për t’i mbyllur dyert, le t’i lëmë kohë forumeve të partisë që të marrin vendime, debatit të brendshëm që të marrë vendimin e duhur. Mendimin tim e kam thënë, PD s’e ka luksin që të humbë askënd, ne duhet të zgjerohemi dhe ta shtrijmë dorën kudo. Nuk më pëlqen ky debat i brendshëm të bëhet nëpër studio televizive. E përsëris, që në një parti politike vendos vota.
E përcaktojnë anëtarët e partisë këtë. Këto gjërat mekanike të ikë dhe të vijë janë formula që nuk na kanë shkuar në të ardhmen.”, tha ajo.
Duke folur për zgjedhjet parlamentare, ku Tabaku kandidoi në listën e hapur, rrëfeu se në një moment ka menduar edhe tërheqjen nga kjo garë sepse ende sot e cilëson të padrejtë atë vendim të PD. Për deputeten demokrate ndryshimet e Kodit Zgjedhor që nga 2009 kanë qenë negative dhe kërkon që listat të jenë plotësisht të hapura.
“Partia nuk ka pse të jetë monopol i askujt, partinë duhet ta përcaktojë vota. Nuk ka asnjë tregues tjetër përveç votës, vota është treguesi më i mirë i punës. Kam provuar edhe kritikat e mia i kam thënë por kam vendosur që kontributin tim ta jap brenda partisë. Mënyra më e mirë është t’i ndryshojmë partitë tona nga brenda. Së pari, Kodi Zgjedhor nuk të lejon të zgjedhësh përfaqësuesit më të mirë. Jam për votimin e drejtëpërdrejtë, sistemi maxhoritar ka qenë për mua një nga sistemet më të mira.”
Lidhur me temën e takimit, meritokracia dhe të rinjtë, Tabaku deklaroi se në Shqipëri ka humbur shpresa për brezin e ri dhe solli rastin e motrës së saj që ka emigruar. Mungesa e meritokracisë dhe modeli i të rinjve që PS promovon në Parlament janë një shqetësim për kampin demokrat.
© Panorama.al












