Sabri Godo lë reanimacionin e Sanatoriumit dhe transferohet në pavijon. Burime të sigurta nga spitali bënë me dije për gazetën se pavarësisht këtij transferimi, gjendja shëndetësore e politikanit të njohur nuk është aspak e mirë. “Momentalisht pacienti ka dalë nga reanimacioni dhe është në pavijon. Por duhet të themi që gjendja është e rëndë, pasi siç e dini, vuan nga një tumor pulmonar i pashërueshëm”, thanë burime nga stafi i mjekëve. Gjatë gjithë kohës pranë 82-vjeçarit po qëndrojnë dy vajzat e tij dhe familjarë të tjerë që e vizitojnë. “Po mbahet nën kontrollin e qetësuesve dhe në vëmendjen e stafit më të specializuar të mjekëve”, thanë burime nga Sanatoriumi. Themeluesi i Partisë Republikane është shtruar pak ditë më parë me urgjencë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Pas trajtimit në terapi intensive ai po merr mjekim në pavijon. Nga sa pohojnë mjekët, fill pas shtrimit i është bërë hapja e mushkërisë për ta zvogëluar, duke i hequr likuidin (ujin) e tepërt. “Likidi pleural (ujë në mushkëri) bën që uji në mushkëri tubohet (mblidhet ose derdhet) në alveola (brenda në mushkëri dhe kjo ndodh në 90% të rasteve si pasojë e ngarkesës së zemrës që ndërlidhet, pikësëpari, me tumoret (primare në pleurë apo sekondare-metastaza nga organet tjera) apo sëmundjeve të veshkave, mëlçisë”, thonë mjekët. Nga sa kanë bërë me dije familjarët, ai është diagnostikuar në Itali dhe për disa muaj ka kryer atje terapitë e nevojshme. Nga sa pohojnë mjekët, ai është në gjendje të vetëdijshme, komunikon normalisht, por për shkak të sëmundjes ka një frymëmarrje të vështirësuar, është i lodhur, por parametrat shëndetësorë i ka të stabilizuar. Vuan nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e cila, në fakt, është serioze. Politikani, skenaristi dhe shkrimtari Sabri Godo mban aktualisht postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane të Shqipërisë, e themeluar prej tij në vitin 1991. Godo e ka drejtuar PR-në për 7 vjet. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.
Themeluesi i Partisë Republikane
Në janar të vitit 1991 Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet. Aktualisht është kryetar i Asamblesë Kombëtare
të kësaj partie. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.











