Sa kushton ftesa apo refuzimi i Metës?

Nov 19, 2011 | 10:51

AGIM BAÇI

Thuajse fare i qartë, Edi Rama i la të hapur mundësinë e rikthimit në aleancë
Ilir Metës, duke shënuar kështu një përvijim që nuk do të jetë i lehtë as të mohohet e as të pohohet deri në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht, pas tërheqjes për kundërshtarët në parti, pas tërheqjes së qëndrimeve të ashpra me Nanon, lideri socialist pritej vetëm t’ua bënte të ditur të gjithëve se për hir të ardhjes në pushtet, këtë herë është i gatshëm t’ia shtrijë dorën liderit të LSI-së, me të cilin pati tonet më të ashpra pas zgjedhjeve të vitit 2009. Dhe këtë e bëri gjatë një emisioni me Sokol Ballën në “Top Story”, ku tha se përmes librit që kish botuar “i referohej së shkuarës për të parë drejt së ardhmes”. Pra, thënë shkoqur, bëri të ditur se po pranonte se ku kish gabuar dhe ku ishte gati të tërhiqej për të fituar në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht, bazuar në shifrat e zgjedhjeve, lokale apo të përgjithshme, as PD e as PS nuk e kanë të lehtë as ta ftojnë e as ta refuzojnë Metën. Ky i fundit ka treguar se ka një numër të garantuar mbështetësish, të cilët mund të vendosin në disa zona, duke krijuar joshje për të dy krahët. Por, Rama, edhe pse më me pak dëshirë se Berisha për ta pasur tashmë aleat Metën, duket më shumë i detyruar, pasi asnjë rezultat përveç fitores nuk e mban më atë në krye të PS-së. Kjo ftesë do të rikthejë, pa dyshim, rivalitetin mes të majtëve, pasi fokusi do të jetë mes PS-së e LSI-së, duke shkaktuar disa probleme për kreun e PS-së, i cili është gati të imitojë Berishën në vitin 2009, kur mblodhi çdo parti me pak elektorat. Mirëpo, e shkuara PS-LSI i pati lënë shumë të pakënaqur aleatët e PS-së, që u ndjenë të shpërfillur në atë kohë. Ndërkaq, fijet aktuale të detyrimit politik për aleancat e ardhshme të Metës më shumë i ka Berisha, i cili ka ditur ta joshë e ta mbajë nën presion LSI-në, duke e pranuar si një detyrim për tolerancë për kërkesat e saj elektorale, e cila në përqindje të elektoratit ka shumë më shumë të punësuar se sa PD. Ndërkohë që duket hapur se më natyrshëm mbështetësit e LSI-së do të ndjeheshin me PS-në, pjesë e së cilës kanë qenë ndër vite. Megjithatë, pas testimit të elektoratit në zgjedhjet lokale të majit, duket se Meta do të provojë të dalë i vetëm. Kjo do t’i jepte shansin e “lirisë së zgjedhjes”, vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve, në varësi të rezultatit. E, nëse të dyja palët kanë nevojë për të, do të jetë një betejë e ashpër për mënyrën se si do ta tolerojnë apo se si do ta vënën nën presion, që t’i krijojnë një situatë të domosdoshme marrëveshjeje. Përballë qëndrimit të tyre, Meta në të njëjtën kohë do të ishte i humbur vetëm nëse njëra nga partitë do të krijojë maxhorancë e vetme, ose me aleancat paraprake, duke e lënë më pas LSI-në në një rënie të lirë. Ndaj dhe në terren ai duket se do të jetë i ashpër me të dy, për të marrë çdo votë, që më pas do të thotë fuqi në marrëveshjen për pushtet. Por, kushtëzimi i marrëveshjeve të ardhshme mund të jetë shumë i lidhur me modelin zgjedhor për të cilin do të bien dakord partitë. Pa dyshim, në rastin e një votimi proporcional, ai me lista të hapura do të ishte më në respekt të votuesit, pasi do të përcaktonte përgjegjësitë e gjithsecilit dhe se ku votuesi do të ishte më i orientuar për atë që do të zgjidhte. Kjo do të provonte edhe disa prej figurave, të cilat në bazë të votës duhet të ndërtojnë edhe portretin e tyre politik. Megjithatë, ajo që duhet pohuar tashmë është se marketingu politik ka nisur. Shumë gjëra mund të ndryshojnë pas krijimit të partisë nga Topi, apo nga modeli i ardhshëm zgjedhor. Gjithsesi, e para që është shënjuar është LSI, ndaj dhe sytë do të mbeten nga kjo forcë politike, sidomos për të ardhmen e kreut të PS-së, që duket se nuk do të tërhiqet përballë tekave politike të Metës. Gjithsesi, deri në zgjedhjet e ardhshme politike, Meta do të tentojë të provojë se ftesa apo refuzimi për partinë e tij do të jetë vendimtar për fituesin e zgjedhjeve në vitin 2013.

© Panorama.al

Te lidhura