Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio përsëriti kundërshtimin e Uashingtonit ndaj vendosjes së tarifave të tranzitit në Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se kjo mund të shkaktojë “kaos absolut”.
“Nëse pranojmë që mund të vendosim një tarifë për përdorimin e një rruge ndërkombëtare detare sepse është pranë territorit tonë, ajo do të përhapet në të gjithë botën si një epidemi”, tha Rubio në një takim me homologët e tij të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në Manama të Bahreinit.
Kreu i diplomacisë amerikane, i cili po bën turneun e tij të parë në rajon që nga nënshkrimi i një protokolli marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, deklaroi se Shtetet e Bashkuara duan një marrëveshje paqeje, por “jo me çdo çmim”.
“Edhe pse duam një marrëveshje, nuk duam një marrëveshje me çdo çmim”, u tha ai homologëve të tij të Gjirit.
“Ne duam një marrëveshje të mirë, duam një marrëveshje të vërtetë, duam një marrëveshje të verifikueshme dhe duam një marrëveshje që do të mbahet”, tha Rubio.
Rubio, i cili po viziton Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Bahreinin, vende që janë prekur veçanërisht nga sulmet iraniane në shenjë hakmarrjeje për sulmet amerikano-izraelite, siguroi gjithashtu se interesat e vendeve të Gjirit do të merren në konsideratë.
“Ne duam të sigurohemi që asnjë aspekt i kësaj marrëveshjeje të mos dëmtojë, në asnjë mënyrë, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e asnjërit prej partnerëve tanë në rajonin e Gjirit”, tha Rubio.
© Panorama.al












