Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentjan Berberi, është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.
Pak ditë më parë, Berberi u shkarkua nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët, pas evidentimit dhe asgjësimit të disa parcelave me kanabis në territorin e qarkut. Pas largimit nga detyra, ai ishte emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në sektorin e Analizës.
Sipas burimeve, këtë të enjte Berberi është paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku dyshohet se ka përdorur fjalor fyes dhe ka kërcënuar zyrtaren për shkak të uljes së tij në detyrë.
Pas incidentit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të Berberit nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat e hetimit disiplinor ndaj tij për sjelljen e pretenduar.
Ndërkohë, drejtoresha e Burimeve Njerëzore ka depozituar kallëzim penal pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke e akuzuar ish-drejtorin për ofendime dhe kërcënime të ushtruara ndaj saj gjatë ushtrimit të detyrës.
Rasti është në verifikim nga AMP, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave të ngjarjes.












