Rubio i pangopur: Dua të fitoj 1-3 ndaj Spartakut

Jul 19, 2011 | 11:25
Tirana - Spartak Trnava 0-0

Hulian Rubio Sançez kërkon të lërë gjurmë te Tirana dhe një gjë të tillë dëshiron ta arrijë duke kaluar turin e dytë në Ligën e Europës.Shanset janë të mëdha, kjo pasi barazimi 0-0 në “Qemal Stafa” i jep mundësinë bardhebluve që të kalojnë me sukses Spartakun në ndeshjen e kthimit në Trnavë këtë të enjte. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama”, tekniku spanjoll i kryeqytetasve shprehet tepër optimist për këtë përballje. Madje ai nuk i kënaqet një barazimi 1-1 apo 2-2. Tekniku kërkon një fitore bindëse me shifrat 1-3. “Unë kam natyrë optimiste, ndaj e them qartë se nuk shkojmë në Trnavë për një barazim 1-1 apo 2-2. Ajo që unë kërkoj është një fitore e pastër dhe bindëse me shifrat 1-3. E pamundur nuk është, pavarësisht faktit që luajmë në fushën kundërshtare. Gjithçka do t’i mbetet fushës, pavarësisht kërkesave dhe dëshirave që unë kam. Unë kam për detyrë që të përgatis ekipin, por janë lojtarët ata që duhet të lëvizin në fushë dhe të realizojnë objektivin e vënë, jo vetëm nga unë, por edhe nga drejtuesit e klubit”, – ka thënë paraprakisht Rubio për ndeshjen e kthimit që luhet në orën 19:00 në Trnavë të Sllovakisë. Trajneri spanjoll i bardhebluve ka saktësuar se nuk i pëlqen të flasë për formacionin, pasi një fakt të tillë do ta zbardh gjithnjë një orë para nisjes së çdo ndeshjeje. Duke u nisur nga fakti që keniani Xhejms Situma ka probleme, pasi pësoi një dëmtim në gju në sfidën e parë me Spartakun, mund të rrezikojë aktivizimin. Mirëpo, se kush do të luajë në vend të mesfushorit, këtë tekniku nuk dëshiron ta zbulojë kurrsesi. “Pavarësisht problemeve, ne ndihemi të gatshëm për ndeshjen e kthimit. Barazuam në takimin e parë dhe ky rezultat na jep shanset tona për të tentuar kualifikimin në turin e tretë. Mundësitë janë 50 me 50, s’na mbetet gjë tjetër veçse ta provojmë”, – ka shprehur Rubio.

© Panorama.al

Te lidhura